Femra/ Tirana fiton derbin, Apolonia mund Partizanin në shtëpi

Kampionati i vajzave mbylli javën e dytë të tij, teksa u zhvilluan katër sfida që sollën emocione e prodhuan pa dyshim edhe lojë mjaft të bukur.

Në këtë javë të dytë, spikati derbi kryeqytetas Tirana – Kinostudio, që përfundoi me fitoren e ekipit bardheblu të drejtuar nga Aurora Seranaj, me shifrat 6-2. Tirana kaloi e para në avantazh me Vishkullin në minutën e 27-të. Katër minuta para se të mbyllej pjesa e parë, Vishkulli dyfishoi rezultatin për bardheblutë, teksa një minutë më pas, Kinostudio fiton një penallti që ekzekutohet saktë nga Cyme Lulaj. Në minutën e 44-t, Daniela Kodra gjen edhe njëherë rrjetën për Tiranën që mbyllin pjesën e parë me epërsinë 3-1. Në fraksionin e dytë të lojës, Tirana realizon edhe tre gola të tjerë me Jehona Cokën, Vishkullin e Metallën, ndërsa edhe Kinostudio arrin të gjejë saktë edhe njëherë tjetër rrjetën bardheblu me Gashin. Me fitoren 6-2, Tirana ngjitet në vendin e katërt, me tre pikë, teksa ka një ndeshje më pak në kampionat.

Ekipi tjetër i kryeqytetit, Partizani nuk ia doli të fitonte në shtëpi, duke u mundur nga Apolonia me rezultatin 0-2, me dy gola të shënuar nga Troka. Fieraket vazhdojnë kështu ecurinë pozitive, duke u renditur në krye të klasifikimit me pikët e plota të marra në dy javë kampionat.

Sakaq, edhe Vllaznia arriti të triumfojë në Durrës ndaj Teutës, duke mundur vajzat e detit me rezultatin e thëllë 0-6. Katër gola mbajnë firmën e Megi Doçit në këtë sfidë, teksa rrjetën arriti ta gjejë edhe kapitenia Franja e Bashka. Në sfidën tjetër të javës Lushnja – Skënderbeu, korçaret iu falën golit të Malavecit në minutën e 65-të që i dha tre pikët e para skuadrës së saj.

Ndërkaq, përballja mes Laçit e Kukësit do të zhvillohet në një moment të dytë që do të përcaktohet nga Departamenti i Garave në FSHF.

Rezultatet e javës së dytë:

Tirana 6-2 Kinostudio

Partizani 0-2 Apolonia

Teuta 0-6 Vllaznia

Lushnja 0-1 Skënderbeu/FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!