Nis kursi për Drejtor Sportiv, flet Mavraj…

Ka startuar kursi i ri për Drejtor Sportiv që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit nën udhëheqjen e specialistëve të Departamentit të Edukimit.

Kursi do të zgjasë për rreth një muaj dhe do të përmbyllet më datën 7 tetor 2022, teksa pjesëmarrësit do të marrin njohuri në të gjitha fushat që duhet të mbulojë ky rol në një klub futbolli. Në ditën e parë është diskutuar për procesin e licencimit të futbollistit e më pas do të vijohet me teknikat e bilancit administrativ, organizimi i stadiumeve, licencimi i klubeve, administrimi i burimeve njerëzore, principet e komunikimit, marketingu dhe e drejta TV, rregullorja e lojës dhe kolegjiumet e arbitrave, analizat e një ndeshjeje futbolli, organizimi i sektorit të të rinjve, etj.

Një nga pjesëmarrësit në këtë edicion është edhe ish-futbollisti i njohur i Kombëtares, Mërgim Mavraj, i cili vlerëson maksimalisht mundësitë që FSHF po u jep profesionistëve të futbollit për t’u edukuar dhe për t’u kualifikuar gjithmonë e më shumë me programe shumë të mira, qoftë si trajnerë e qoftë si administratorë.

“Është një ndjesi shumë e mirë që më mundësohet mua si ish-futbollist i Kombëtares të bëj hapin e radhës në botën e futbollit, të më jepet mundësia të krijoj një bazë elementare në mënyrë administrative në të ardhmen. Është një diplomë shumë e vlefshme, pasi është shumë e rëndësishme të kuptosh se çfarë ndodh jashtë fushës së blertë, në pjesën organizative të një ndeshjeje. Nuk është diploma e parë që marr, kam përfunduar edhe kursin për licencën e trajnerit UEFA B dhe kam punuar me lektorët e shkëlqyer të FSHF-së, që janë shumë të përgatitur, qoftë për kursin e UEFA B apo edhe tani me kursin e Drejtorit Sportiv. Është një qasje shumë pozitive, tani organizimi i kurseve në godinën e re të FSHF-së me këtë infrastrukturë është diçka tejet pozitive dhe besoj se tani është detyra jonë të marrim sa më shumë njohuri të vlefshme. E dimë të gjithë që diploma është një kusht për t’u futur në botën e futbollit si menaxher pasi ke qenë edhe futbollist”, – thotë Mërgim Mavraj për Fshf.org.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova, shpjegon programin e kurseve dhe shpjegon rëndësinë që ka Drejtori Sportiv në një klub futbolli. Gjithashtu, Starova thotë se FSHF po punon që të kompletojë të gjitha rolet në stafet teknike të skuadrave, për të pasur një personel sa më të kualifikuar, që do të thotë një futboll më cilësor në të ardhmen.

“Pas rinovimit të licencave për trajnerë në të gjitha nivelet UEFA B, A dhe Pro, Departamenti i Edukimit vazhdon këtë muaj me kursin e radhës dhe deri në dhjetor kemi edhe një kurs tjetër, më konkretisht ka nisur kursi për Drejtorin Sportiv dhe kursin për licencën e trajnerit UEFA B. Po ecet njëkohësisht me këto dy lloj kursesh, ndërsa risia është se kemi marrë aprovimin e UEFA-s për të nisur vitin e ri kursin UEFA Goalkeeper A (për trajnerët e portierëve). Sigurisht edukimi i trajnerit ka nevojë për ndihmën e sektorëve të tjerë.

Për Drejtorin Sportiv, që ka interesim, janë të përfaqësuara shumë klube dhe është shumë e nevojshme që të kompletohen të gjitha klubet. Është një rol shumë i rëndësishëm, pasi Drejtori Sportiv është krahu i djathtë i presidentit të klubit dhe do të na ndihmojnë me dëshirën që kemi ne në FSHF që synojmë të kemi sa më shumë cilësi në aspektin administrativ dhe lojtarë cilësorë, ndërsa klubet kanë objektivat e tyre parësorë që krahas aktivitetit të shëndoshin edhe financat. Me këtë qëllim ne po unifikojmë edhe programet e futbollit, duke e nisur që me ‘Grassroots’ dhe edukimin e futbollit të bazës, duke unifikuar stërvitjet e duke i ardhur në ndihmë klubeve për një zhvillim shumë më cilësor se deri më tani në këtë sektor”, – deklaroi Starova në prononcimin e tij për Fshf.org.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!