Kombëtarja U20 luan miqësore me Kroacinë e Maqedoninë e Veriut

Ndryshon programi i miqësoreve për Kombëtaren U-20, që parashikonte zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore me Maqedoninë e Veriut U-20 në muajin shtator. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se përfaqësuesja kuqezi do të luajë dy miqësore, një me Kroacinë U-20 dhe një Maqedoninë e Veriut. Ky ndryshim programi erdhi pas ftesës së Federatës Kroate të Futbollit për të organizuar këto miqësore dhe pasi u ra dakord mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Kombëtarja shqiptare U-20 e drejtuar nga trajneri Ilias Haxhiraj do të nisë grumbullimin më datë 18 shtator në Kroaci dhe më datë 23 shtator do të luajë sfidën e parë me Maqedoninë e Veriut U-20. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Cakovecit duke nisur nga ora 16:30.

Dy ditë më pas, më datë 25 shtator në ora 16:30, po në këtë stadium do të luhet edhe testi i dytë i Shqipërisë U-20 ndaj Kroacisë U-20. Me këtë ndeshje do të mbyllet edhe grumbullimi 8-ditor i ekipit Kombëtar kuqezi me trajneri Haxhiraj dhe stafin e tij teknik që do të kenë mundësinë të shohin nga afër gjendjen e lojtarëve të kësaj grup-moshe si dhe të vëzhgojnë futbollistët e rinj që mund të jenë pjesë e ekipit për herë të parë. Përballjet me ekipet si Kroacia dhe Maqedonia e Veriut janë teste mjaft të vlefshme që do ta ndihmojnë shumë ekipin kuqezi të konsolidohet.

Kombëtaret shqiptare të moshave U-15, U-17, U-19 dhe U-20 do të zbresin të gjitha në fushë në muajin shtator qoftë për ndeshje zyrtare, miqësore apo edhe seleksionime. Kombëtarja U-19 do të jetë e angazhuar në eliminatoret e Kampionatit Europian me ndeshjet e grupit që do të luhen në Belgjikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!