Klasikja i shkon Vllaznisë

Abissnet Superiore, java e tretë: Tirana – Vllaznia 1-2 (Xhixha 47’/ H. Marku 22′ Pen, Kaina 29′)

Spektakël në “Selman Stermasi”. Klasikja e futbollit shqiptar Tirana-Vllaznia, dhuron gjithçka: gola, penallti, kartonë të kuq, emocione, rivalitet dhe tension. Në fund triumfojnë shkodranët me shifrat 1-2.

Tirana e nisi sfidën në pozita sulmuese, por ishte Vllaznia ajo e cila arriti të përfitonte në maksimum nga ato pak raste që gjendej para portës bardheblu.

Shkodranët kaluan në avantazh me anë të një penalltie të fituar nga Kaina e të kthyer në gol nga Herald Marku. Ishte Realf Zhivanaj i cili ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj sulmuesit kuqeblu në zonë teksa luhej minuta e 22′-të. Jorgji akordoi menjëherë penallti dhe nuk ngurroi të nxirrte kartonin e kuq për mbrojtësin e Tiranës.

Kampionët në fuqi, të detyruar të luajnë me një lojtar më pak për pjesën e mbetur të sfidës, pësuan edhe goditjen e dytë. Kaina shënon me kokë në portën e Bekajt pas një krosimi perfekt nga këndi duke kaluar në avantazh të dyfishtë shkodranët.

Tirana rihap ndeshjen menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë kur Redon Xhixha godet topin me kokë për ta ndalur në rrjetë. Shumë shpejt barazohet dhe numri i lojtarëve në fushën e lojës pasi Herald Marku ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Deliut dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë.

Minutat e mbetura flasin për Tiranën. Bardheblutë përqendrojnë forcat në sulm për të gjetur golin e barazimit dhe për të dalë me pikë nga kjo ndeshje. Pavarësisht shumë rasteve të krijuara, te Tirana mungon konkretizimi dhe fati pasi në minutën e 95′-të shtylla i mohon bardhebluve një gol thuajse të sigurt.

Sfida mbyllet me triumfin e kuqebluve, por jo pa diskutime e tension në fushën e lojës dhe në tribuna. Vllaznia ngjitet në krye të klasifikimit me Partizanin përkohësisht, ndërsa Tirana mbetet me 4 pikë. /Sara Gjidiaj-Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!