Partizani leksion futbolli Laçit

Dominim i të kuqëve ndaj një Laçi pa ide e konfuz. Skuadra e Xhovani Kolelës luan një sfidë perfekte dhe merr kryesimin e Superiores me 6 pikë.

Abissnet Superiore, java e dytë: Partizani – Laçi 1-0 (Skuka 45′ (pen))

Partizani merr i vetëm kryesimin e Superiores pas fitores minimale në “Elbasan Arena” ndaj Laçit. Vendos goli i Skukës me penallti.

Pjesa e parë nis e qetë me skuadrat që tregohen të kujdesshme. Shfaqin diçka më shumë të kuqtë e trajnerit Kolela të cilët marrin disa herë iniciativën për të shënuar, por goli do të vijë me një 11′-metërsh në limite të pjesës së parë.

Një kontakt i Skukës në avancim e sipër me Mazrekajn konsiderohet penallti nga sistemi VAR. Nuk mund të gabonte Skuka nga pika e bardhë e penalltive. Dajsinani kupton krahun por sfera ndalet në rrjetë.

Asgjë nuk ndryshon në pjesën e dytë të sfidës. Partizani dominon në fushën e lojës, krijon dhe shpërdoron një numër të madh rastesh. Shtylla dhe Dajsinani i mohojnë disa herë dyfishimin e shifrave për të kuqtë.

Laçi u shfaq me një fytyrë tjetër këtë 90-minutësh. Kurbinasit, ndryshe nga sfida me Teutën, nuk prodhuan lojë dhe u shfaqën shumë pak herë të rrezikshëm.

Ndeshja midis Partizanit dhe Laçit mbyll javën e dytë të “Abissnet Superiore” që rikthehet të premten me klasiken Tirana – Vllaznia./S.Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!