Dueli i ‘frikës’ fitohet nga Junajtid

Kasemiro në tribunë i sjell fat skuadrës së re të tij Mançester Junajtid. Seria A ofron zhgënjimin e Juves, fiton Roma
Supersfida Mançester Junajtid – Liverpul mbylli javën e tretë të Premier Leauge. “Djajtë e Kuq” nën drejtimin e Ten Hag regjistruan fitoren e parë mbrëmjen e sotme përballë nënkampionëve të Liverpulit që këtë sezon nuk e kanë nisur si duhet.
Sanço dhe Rashford ishin protagonistë me golat e tyre për skuadrën e Junajtid, ndërsa pak minuta larg fundit Salah rihapi sfidën duke i dhënë shpresë Liverpulit për një barazim që nuk u arrit. Ronaldo e nis sërish nga stoli dhe aktivizohet katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Në Serie A, Roma merr 3 pike me jo pak vështirësi përballë Kremonezes. Smolling vulosi në minutën e 65′-të fitoren e dytë radhazi për skuadrën e Murinjos. Asnjë minutë në dispozicion për Marash Kumbullën në sfidën e sotme.
Sakaq Juventus ngec përballë Sampdorias në barazim me rrjeta të paprekura. Bardhezinjtë gjejnë golin me Rabiot por sistemi VAR nuk bie dakord me rregullsinë e pozicionit të francezit. Kështu, juventinët ndalen për herë të parë në këtë sezon.
La Liga vijoi sot me Elçe – Almeira të mbyllur pa fitues (1-1), ndërsa vazhdon të luhet sfida mes Xhironës dhe Getafes. Udhëheq me një gol skuadra vendase teksa ka përfunduar pjesa e parë.
Premier League:
Mançester Junajtid – Liverpul 2-1
Serie A:
Roma – Kremoneze 1-0
Sampdoria – Juventus 0-0
La Liga:
Elce – Almeira 1-1
Xhirona – Getafe 3-1 në kohë reale/S. Gjidiaj/