Laçi hapi i madh drejt finales

Gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë në ‘Niko Dovana’:

Teuta- Laçi 1-2 (Todorovski 93’/ S.Ujka 6′, Akiniemi 58′)

Teuta dhe Laçi u takuan sot në një impiant të rikonstruktuar për të zbardhur aktin e parë të ndeshjes gjysmëfinale të edicionit të 70-të të Kupës së Shqipërisë.

Pas ceremonisë së rastit ndërsa kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, Anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, Fatbardh Jera dhe presidenti i Teutës Edmond Hasanbelli, prenë shiritin e tapetit të ri, vemendja u përqëndrua tërësisht te ajo çfarë skuadrat kishin përgatitur për t’i servirur publikut në shkallë por jo vetëm.

Renato Arapi zgjodhi mes gjithë kontigjentit dhe dilema e vetme për trajnerin e durrsakëve ishte gjëndja e mbrojtësit Xhekson. Në anën tjetër kurbiansit edhe pse para takimit vetëm Guindo u tha se ende nuk ishte kthyer nga Mali (me kombëtaren) në listë mungonin emrat e Malotës dhe Zarubicës.

Ndeshja:

Nis me bardhezinjtë e Mirel Josës insistues. Në një aksion të tyre në të 6′-ën Serxhio Ujka nga më shumë se 25 metra me pamje qëndrore godet me forcë duke e përcjellë sferën poshtë traut të portierit Qirko. Në fund të pjesës së parë kur luhej e 39′-ta vjen episodi i një penalltie të akorduar nga gjyqtari Olsion Yzeiraj.

Hebaj në duel me Zikon rrëzohet por më pas VAR fton gjyqtarin për ta rishikuar në monitor. Vendimi: Nuk ka penallti dhe as karton të verdhë për Zikon.

E dyta nis më mirë për durrsakët por pas pak çastesh Jazxhi ndëshkohet me të verdhë pas një faulli ndaj Van Dejv Harmon. Për lojtarin nga Liberia të Laçit ndeshja përfundon këtu(49′).

Në fushë për bardhezinjtë Adeleke Akiniemi. Është pikërisht nigeriani i cili pas një topi nga thellësia e Mazrekajt galopon dhe mbi vijën e zonës godet me topin që prek shtyllën e djathtë të Qikos dhe shkon në rrjetë 0-2.

Teuta nis të shtojë presionin ndërsa në të 75′-ën i afrohet ndjeshëm golit me Lorenco Vilën dhe Hykën. Dajsinani bën shpëtimtarin.

Arapi pasi ka hequr E Vilën për probleme dëmtimi, hedh në fushë lojtarët Plaku, Hyka dhe Daci. Janë minutat e fundit dhe durrsakët shumë herë më aktivë.

Kur pritej fundi i ndeshjes në të 93′-ën Blagoja Todorovski nga e djathta godet një top drejt portës i cili pas një devijimi të lehtë përfundon në rrjetë për 1-2 final. Ndeshja e kthimit më 13 prill.

Gjysmëfinalja Partizani- Vllaznia luhet të enjtën në Elbasan./Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!