Laçi prek fundin, Kastrioti shkëlqen në Kamëz

Java e 5-të Abissnet Superiore:

Laç:

Laçi- Egnatia 0-1 (Pedro 75′)

Atëherë kur të gjithë prisnin rikthimin e Laçit te fitorja, skuadra e Vukiçeviç dhe vetë trajneri malazez, janë rrëzuar më keq se kurrë më parë. Një gol i Pedros në të 75′ i ka vënë vulën humbjes së dytë sezonale të kurbinasëve të cilët ende nuk po arrijnë të prekin fitoren e parë.

Përballë tyre, Egnatia e karakterizuar me entuziazëm dhe me një mbrojtje të hekurt, arrin të ndalë sulmuesit Guindo e Zarubica thuajse në të gjitha tentativat e tyre. Megjithatë Laçi i afrohet golit në të 23-ën me Viktor Velkovskin (fiksuar në foton kryesore të materialit). Rasti ishte fatal pasi nga 3 metra larg kuadratit, mbrojtësi bëri “mbrojtësin” duke e përcjellë jashtë në të djathtë të Pujës.

E nëse në rastin e parë portieri mik ishte me fat, në rastin tjetër ideal të Laçit, në të 42-ën me Guindo, zgjatet në pafundësi për të cekur fare pak topin e sulmuesit nga Mali.

E dyta nis më mirë për Egnatian por më pas sërish vendasit janë ata që rrezikojnë më shumë.

Për të ardhur në momentin kyç të sfidës teksa në të 75′-ën Pedro Augusto, pas një aksioni idividual në të majtë godet fort me topin që prek traversën dhe përfundon në rrjetë.

Dëmtimet e Zarubicës dhe Velijës pas lojës së ashpër të futbollistëve miq, duket se rëndojnë më shumë se humbja. Megjithatë te Laçi përpos shqetësimit për futbollistët e dëmtuar duhet të mendojnë dhe për trajnerin i ri. Dejan Vukiçeviç u largua si i dështuar nga pankina bardhezi. Pesë takime 2 barazime dhe tri humbje.

Kamëz:

Kastrioti- Skënderbeu 2-0  (Basha 65′, Rami 84′)

E kishte deklaruar Ndreu para takimit dhe ashtu ngjau. “Skuadra ka rikuperuar futbollistë nga dëmtimet dhe ndaj korçarëve do marrim tri pikë” , tha tekniku dje.

Sot në tapetin e Kamzës u pa një skuadër mjaft e fortë duke e dominuar ekipin e Memellit gjatë gjithë takimit.

Kastrioti kaloi në avantazh në minutën e 65-të me gol të Arbër Bashës ndërsa në minutën e 84-të i rikuperuari Rami (sapo u fut në lojë) realizoi golin e dytë për skuadrën krutane. Goditja ishte fatale per Rexhepin pasi preku pingulen e majtë dhe pushoi në rrjetë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!