Uzuni: Kulmi im, Kombëtarja ime…

Beratasi me tezë personale: “Nuk hyj për barazim në fushë, por gjithmonë për fitore dhe të jap maksimumin.”

Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni dhe Keidi Bare kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat, ku folën në lidhje me dy ndeshjet që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Hungarisë (9 tetor) dhe Polonisë (12 tetor), të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Kuqezinjtë u shprehën se do të futen në fushë për fitore, duke u ndalur fillimisht te ndeshja e parë me Hungarinë që do të luhet në Budapest, ndërsa më pas ndaj Polonisë në Tiranë, në stadiumin Kombëtar “Air Albania”.

Uzuni, i cili është në një formë mjaft të mirë, duke bërë paraqitje të shkëlqyera me Ferencvaroshin, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve u shpreh se jo vetëm ai por i gjithë ekipi do të japë maksimumin, ndërsa theksoi se është në kulmin e karrierës së tij. Duke qenë se Myrto Uzuni jeton në Hungari, ai tregoi edhe mbi atmosferën dhe se si po pritet kjo ndeshje atje.

Minuta të plota me Kombëtaren? – E kam thënë gjithmonë që ndihem në formën time më të mirë të karrierës time por mendoj se Kombëtarja është diçka tjetër dhe duhet të përqendrohemi dhe nuk ka rëndësi se kush luan, por të jemi të gjithë së bashku për të arritur objektivat.

Të luaj kundër Hungarisë? – Normalisht që unë dua të luaj çdo ndeshje, pavarësisht klubit ose Kombëtares, dua të jap gjithmonë kontributin tim dhe maksimumin, por do të thoja që Hungarinë e njoh mirë. Do të ishte një ndjenjë tjetër për mua, pasi jetoj dhe stërvitem aty me lojtarë që do të luajnë kundër Shqipërisë.

Si po pritet ndeshja në Hungari? – Ndihet shumë atmosfera e ndeshjes aty, pasi edhe lojtarët flasin, fizioterapistët. Të gjithë presin një ndeshje shumë të bukur dhe ata duan fitore, por mendoj se kush ekip do bëjë më pak gabime, ai ekip do fitojë.

Avantazh për ne ndeshja pa tifozë? – Mendoj se nuk është një avantazh për ne, pasi Hungaria kur ka luajtur pa tifozë ka pasur rezultate shumë të mira dhe kur ka qenë me tifozë ka pasur rezultate negative dhe mendoj se nuk është një favor, por në fushë janë të treja rezultatet.

A është ky momenti im më i mirë në karrierë? – Mendoj se tani është kulmi i karrierës sime pasi po bëj shumë mirë edhe në Europa League edhe te Ferencvarosh por edhe te Kombëtarja, në ndeshjen e fundit kam bërë mirë mendoj. Mendoj se kjo varet në fushë dhe sa i motivuar je.

Hungaria? Është e njëjta Kombëtare që do të gjejmë edhe aty, por janë dy trajnerë italianë si Rossi dhe mister Reja. Ata kanë të njëjtën strategji si ne, luajnë me 5-3-2 dhe mendoj se do jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar. Ekipi që do japë zemrën dhe shpirtin në fushë ka për të fituar.

4 pikë mjaftueshëm për ne? – Trajneri ka llogaritë e tij, por në mentalitetin tim unë nuk hyj për barazim në fushë, por gjithmonë për fitore dhe të jap maksimumin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!