Befasia/ Grent Halili mbyll me futbollin e luajtur

Vetëm 23 vjeç dhe vendos të ndahet nga futbolli i luajtur.

Nuk është se deri tani pati shkëlqyer por një futbollist me të dhëna të mira ishin shfaqur herë pas here. Grent Halili në mënyrë surprizë sot ka deklaruar se largohet nga futbolli i luajtur.

Në fakt në shtypin sportiv ka pasur gjithnjë akuza lidhur me faktin se Grenti futbollist dhe Refiku president i Tiranës e kanë dobësuar cilësinë e skuadrës në fushë. Kuptohet nga prezenca e djalit të presidentit në fushë.

Gjithësesi, ky nuk mund të jetë argument bindës pasi vetë Grenti ka deklaruar se pranon stolin në çdo kohë. E gjitha në të mirë të 25 herë kampionëve të shqipërisë. Ndonjë post në klub? Gjithësesi, vetëm 23 vjeç…

Postimi i Grent Halilit

Gjithçka nisi 13 vite më parë me një ëndërr që një ditë do të mund të bëhesha një futbollist profesionist. Është e vërtetë kur thonë që në jetë e mira s’ka fund, por ama jam krenar për atë c’ka munda të arrij në këtë profesion. Sot dua të lajmëroj tërheqjen time nga futbolli i luajtur. Është një vendim që asnjëherë nuk prisja ta merrja kaq herët aq më pak që në këtë moshë por ama është një vendim i cili sado i vështirë, i duhuri për mua pasi ambicie të reja më bëjnë të marr këtë vendim.

Është koha për t’i thënë mirupafshim këtij sporti kaq të bukur, por ama dhe këtij klubi që më dha gjithçka si brenda fushe ashtu dhe jashtë saj. Ky klub, nuk më mësoi të jem thjesht një lojtar i mirë por, më dha formë mua si person, më ndihmoi të rritem, më injektoi vlerat sportive, disiplinën, të qëndrosh me këmbë në tokë dhe të imponosh respekt edhe tek ata njerëz që se kanë merituar respektin tënd! Kam kaluar shumë momente tek ky klub dhe nuk qenka aq e thjeshtë të heqësh dorë. Kam punuar dhe jam përpjekur të stërvitem me profesionalizmin e duhur dhe gjithmonë të jem i hapur kundrejt këshillave apo kritikave të çdokujt. Dhe pse jam person i cili gjithmonë lë të tjerët të më gjykojnë, jam krenar për atë cka mund të kem dhënë për këtë klub ku dhe përtej dështimeve që kam hasur gjatë karrierës, kam mundur të ngrihem dhe më i fuqishëm dhe të jem përherë me kokën lart.

Ka qene një rrugëtim i vështirë por një eksperiencë e paharrueshme. Një falënderim shkon për të gjithë shokët e mi të ekipit, trajnerët dhe stafin ndër vite për mbështetjen dhe këshillat që më kanë dhënë në cdo moment. Falënderoj gjithashtu tifozërinë e klubit të Tironës, që fal tyre dashuria për këtë klub bëhet akoma më e madhe. Falënderoj miqtë e mi që më kanë qëndruar gjithmonë pranë si në të mirë dhe në të keq. Mbi të gjitha, falënderoj familjen time për të gjithë mbështetjen përgjatë rrugëtimit tim, dhe Zotin që ma ka bekuar këtë rrugëtim.

Tërhiqem nga loja e futbollit si lojtari i klubit më të MADH në Shqipëri! Premtoj dhe betohem që tërhiqem nga ky klub vetëm si lojtar, ama në një të ardhme në një pozicion tjetër, nuk do tërhiqem ASNJËHERË!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!