Historia/ Teuta e vitit 1994

27 vite më parë, kur Teuta bëhej “Mbretëresha” e futbollit shqiptar

Shënimi Redaksional i ‘Sporti im.al’

Thuajse tri dekada më parë, Teuta do të shpallej për herë të parë në historinë e saj, tashmë shekullore, kampione e Shqipërisë. Në Kampionatin e 54-t Kombëtar skuadra durrsake ishte renditur e dyta, pas Partizanit. Në sezonin pasardhës, që startoi më 4 shtator 1993, titulli kampion do të ishte objetiv i saj.
Pas 26 javësh kampionat, më 30 prill 1994, në stadiumin “Besëlidhja” të Lezhës, skuadra e Teutës, nën drejtimin e trajnerit Haxhi Ballgjini, do të shpallej zyrtarisht kampione e Shqipërisë, dhe do të bëhej për herë të parë “Mbretëresha” e futbollit shqiptar. Në këtë rrugëtim të suksesshëm ajo do të grumbullonte 37 pikë, pas 14 fitoresh, 9 barazimesh dhe 3 humbjesh, me golaverazhin 37-9.

…dhe nga Gazmend Hanku në 1994: (Sporti Shqiptar)

Teuta e viteve ’90, kampionia më e re e futbollit shqiptar

Pak fjalë për kampionen e re
Kampionati i 55-të Kombëtar i Futbollit do t’i shtonte “Librit të Artë” të kampionëve një emër të ri, Teutën e Durrësit. Futbolli durrsak, me tradita të hershme, asnjëherë gjatë historisë së vet nuk i qe gëzuar ndonjë titulli kampion. Aq më tëpër që kishte nxjerrë nga gjiri i vet breza të tëra futbollistësh të shquar, përfaqësues të të cilëve si Niko Dovana, Abdulla Duma, Petraq Ikonomi, Maksut Leshteni, Orest Grami, Osman Kapidani, Niko Bespalla, Fatmir Hima, Alfred Filjari, Agim Bulku, Vladimir Ajazi deri te më të vonshmit, Edmond Miha, vëllezërit Shyqyri e Haxhi Ballgjini, etj, kanë kontributin dhe meritën e tyre të padiskutueshme në zhvillimin e futbollit në qytetin bregdetar, por edhe në mbarë Shqipërinë. Dhe përvoja e tyre e pasur, kontributi i shquar në ngritjen e futbollit në Durrës do të që evidente dhe përcaktuese në përgatitjen e një brezi të ri e të talentuar futbollistësh për krijimin e një ekipi model.
Ky ekip, në fillim të viteve ’90, do të jepte tonin në kampionatin kombëtar për të arritur në sezonin 1993-1994, kur Teuta u shpall kampione për të parën herë në historinë e saj 75-vjeçare. Po cilët ishin protagonistët? Portierët e talentuar Xhevahir Kapllani e Kujtim Shtama. Mbrojtësit e fuqishëm Ardian Abazi, kapiten i ekipit, një nga pikat më të forta të tij, Mikel Furrxhi, Eugen Xhakoni e Alban Vila. Mesfushorët teknikë të palodhur Alban Mehmeti, Ilir Alliu, Bajram Fraholli, Ardian Dashi e Anesti Qendro. Sulmuesit e zhdërvjelltë e golashënuesit e përhershëm Alvaro Zalla, Dashamir Disha, Ilir Bushi, Elton Koça etj. Ata, në drejtimin e ish-futbollistit të shquar të viteve ’80, Haxhi Ballgjini, ndihmësit të tij, Stavri Nica, dhe sekretarit të klubit, Bashkim Koka, do të shkruanin një faqe të re në historinë shumëvjeçare të klubit durrsak e atij kombëtar.

Një kampionat i suksesshëm
Në dy sezonet e mëparshme, ekipi i Teutës ishte paraqitur denjësisht me lojëra e rezultate, duke zënë vendin e 3-të në sezonin 1991-1992 dhe vendin e 2-të në kampionatin e viteve ’92-’93. Sezonin e ri ’93-’94 e nisi me barazime, 0-0 në Tiranë me Dinamon, 2-2 në Durrës me Tiranën, ndërsa në javën e tretë pësoi humbjen e parë, 0-1, në Durrës nga Elbasani. Një fillim jo i mirë dhe jo shumë premtues për Teutën. Ish-trajneri Edmond Miha, pas tri javësh drejtimi, ia la vendin ish-shokut të tij të skuadrës, Haxhi Ballgjinit, për të cilin ai kampionat qe eksperienca e parë dhe e fundit si trajner i ekipit, me të cilin dikur kishte luajtur vetë.
Në javën e katërt Teuta zhvilloi ndeshjen e javës në Patos, me Albpetrolin vendas, dhe vetëm goli i Frahollit në minutën e fundit të takimit e shpëtoi ekipin nga humbja e tretë. “Ishte një barazim që më nevojitej, pasi ishte ballafaqimi im i parë si trajner,- kujton Ballgjini. – Mbaj mend se kur mora ekipin, gjeta mjaft probleme disiplinore, sidomos në drejtim të marrëdhënieve me gjyqtarët. Këmbëngula shumë te lojtarët, duke u thënë se më tepër mua si trajner më interesonte heqja e imazhit të keq ekipit tonë, të krijuar nga loja e rëndë e disa futbollistëve dhe kartonat e shumtë të marrë sesa sa fitoja”,- vazhdon të tregojë ai. Por Ballgjini dhe ekipi i tij do t’i gëzoheshin fitores në javën e 5-të, kur mundën me rezultatin e thellë, 4-0, Apoloninë në Durrës. Më pas një barazim në Vlorë, 0-0, dhe për Teutën tashmë do të vinin tri fitore radhazi, me Lushnjën 2-0, me Partizanin në Tiranë 3-0, një fitore e bujshme kjo e atij kampionati, dhe me Laçin në Durrës 4-0. Në ndeshjet e mbetura, Teuta mori edhe dy fitore e dy barazime të tjera, për t’u renditur në krye të tabelës së klasifikimit në përfundim të fazës së parë, duke u shpallur kështu “kampione e vjeshtës”. Pa dyshim, një sukses i madh dhe i merituar i ekipit dhe i grupit drejtues. Tashmë titulli filloi të dukej në horizont, por rruga drejt tij ishte ende e gjatë.
Një fillim jo i mirë nga ekipi durrsak në fazën dytë, çka ia zbehu deri diku fizionominë dhe ia uli përkohësisht moralin e optimizmin e ekipit. Humbet që në javën e parë në Durrës me Dinamon 1-3, barazon 1-1 me Tiranën në stadiumin “Qemal Stafa” dhe përsëri humbet 0-1 në Elbasan. Nga kryesuese në përfundim të fazës së parë, Teuta zbriti në vendin e katërt. Por ekipi nuk e humbi besimin, gjeti forca në vetvete dhe, i karakterizuar nga dëshira për fitore, shpirti i lartë i garës e përqendrimi i duhur, duke zhvilluar lojëra me nivel e rendiment, arriti të koleksionojë pesë fitore radhazi, me Albpetrolin, Apoloninë, Flamurtarin (një fitore vendimtare që e rifuti Teutën në luftën për titull) Lushnjën e Partizanin, për t’u ndalur përkohësisht në Laç, nga një barazim pa gola. Përsëri tri fitore radhazi, me Sopotin, Besën e Vllazninë. Pikërisht fitorja me Vllazninë në Durrës, 1-0, do të ishte preludi i kampionatit. Një javë para përfundimit të tij, Teuta e pa veten kampione, pasi Tirana, që renditej në vend të dytë, ishte 4 pikë më pak se ajo e në pamundësi për ta arritur. Hareja dhe gëzimi që mbizotëronin në kampin bardhekaltër si dhe në mbarë tifozerinë durrsake nuk mund të përshkruhen dot. Festa e titullit kishte filluar një javë më parë në Kavajë, për të përfunduar dy javë më pas në Lezhë, ku ekipi do të kurorëzohej me titullin kampion, sepse ndeshja atje ishte vetëm një formalitet. Një sukses plotësisht i merituar i ekipit durrsak, i grupit drejtues, i sponsorit të ekipit, i presidentit të saj dhe i tifozerisë vendase aq të zjarrtë, korrekte dhe entuziaste.
Duke parë e analizuar lojërat e Teutës gjatë atij kampionati, vëren se ekipi pati një rritje të nivelit të tij në fundin e fazës së parë dhe sidomos në fazën e dytë. Përveç cilësive që e karakterizonin dhe e veçonin nga ekipet e tjera, Teuta tregoi një pjekuri taktike të admirueshme si gjatë ndeshjeve në Durrës ashtu edhe jashtë tij, një përqendrim në momentet kyçe, si dhe lojë krijuese dhe rezultative. Në përgjithësi, ekipi luajti mirë në bllok. Repartet fuknsionuan si një i vetëm dhe e ndihmuan njër-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme. Por duhet theksuar se mbrojtja dhe mesfusha ishin pa dyshim më të mirat. Tek ekipi u vu re gjithashtu një lojë e mirëfilltë kolektive, ku të 10-të futbollistët e formacionit, me përjashtim të portierit, ishin golashënues.

Portierët, sponsori dhe tifozët
Ka qenë një fenomen i rrallë, që nuk është ndeshur shpesh në futbollin shqiptar, paraqitja dinjitoze e të dy portierëve të Teutës në kampionatin në fjalë. Si portieri titullar, Kapllani, ashtu edhe ai rezervë, Shtama, u bënë protagonistët kryesorë të ecurisë së Teutës drejt titullit kampion dhe të kampionatit kombëtar në tërësi. Kapllani, një nga portierët më të talentuar të futbollit shqiptar, e nisi kampionatin në një formë të shkëlqyer. Jo vetëm që u bë mburoja e padepërtueshme e ekipit të tij, por edhe protagonist në pritje penalltish. Në 14 ndeshje të luajtura, ai mundi ta ruajë portën e tij të paprekur për 793 minuta lojë, ose gati në 9 ndeshje. Dhe ndoshta do të kishte vendosur rekord absolut po të mos qe një dënim i gjatë, që e la pa luajtur gjatë gjithë fazës së dytë. Por trajnerin Ballgjini dhe në tërësi ekipin nuk do t’i shqetësonte aq shumë mungesa e portierit titullar, sepse aktivizimi i portierit rezervë Shtama, jo vetëm nuk do t’i linte gjë mangët Kapllanit, duke u bërë edhe ai protagonist kryesor, duke mos lejuar prekjen e rrejtës e duke pritur madje edhe penallti, por do të vendoste edhe ai një rekord më vete në paprekshmërinë e portës durrsake.
Për 927 minuta lojë, ose pak më shumë se 10 ndeshje, nuk do të pësonte gol gjatë aktivizimit të tij në fazën e dytë. Me të vërtetë një rast i rrallë në historinë e futbollit shqiptar, të cilit duhet theksuar se asnjëherë nuk i kanë munguar portierët e shquar. Një element tjetër i rëndësishëm që ndikoi në fitimin e trofeut nga Teuta është edhe sponsori i saj, merita e veçantë e të cilit është e padiskutueshme. Ato vite Teuta sponsorizohej nga një kompani e fuqishme e transportit ajror, kompania ADRIA. Pa dyshim, ndihma e saj në mbarëvajtjen e ekipit, duke filluar nga pagesat e grupit të lojtarëve, kushtet e mira të fazës përgatitore e të stërvitjes në përgjithësi, furnizimi i ekipit me bazë materiale të bollshme e të shumëllojshme dhe stimujt e shpërblimet e ndryshme e të herëpashershme, kanë qenë të mëdha dhe vendimtare që Teuta arriti atë sukses të paparë ndonjëherë. Vetë presidenti i atëhershëm i klubit, Abdurrahman Sulejmani, i ka qëndruar pranë ekipit dhe është kujdesur për të gjitha problemet që e shqetësonin, duke kontribuar edhe në trajtimin mjekësor e shërimin e futbollistëve, siç qe rasti i operacionit delikat në gju pas një dëmtimi të rëndë të futbollistit Begeja, në një nga klinikat e njohura të Ljubjanës, operacion që i kushtoi 40.000 marka gjermane.
Një sponsor tjetër i fuqishëm, por më tepër në aspektin moral, për Teutën ka qenë edhe publiku i zjarrtë i saj. Ai jo vetëm mbushte plot e përplot stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, por mijëra prej tyre e kanë ndjekur ekipin e zemrës në mbarë Shqipërinë. Tifozë mjaft korrektë, që nuk u kanë krijuar porbleme e shqetësime forcave të rendit, kudo ku kanë qenë të pranishëm. Tifozë që erdhën gjithnjë në rritje, paralelisht me rezultatet pozitive të ekipit të tyre. Në atë sezon stadiumi i Durrësit, me shkallët e tij të tejmbushura, përbën një rekord në shkallë Republike për nga numri i shikuesve përgjatë gjithë kampionatit. Ishin tifozë që jo vetëm e mbështetën moralisht ekipin e tyre, duke demostruar kështu pasionin e dëshirën e zjarrtë për ta parë ekipin në majat më të larta të futbollit shqiptar. Dhe Teuta ua shpërbleu, duke sjellë në qytetin e lashtë bregdetar e futbolldashës kupën dhe medaljet e Kampionatit të 55-të Kombëtar të Futbollit, 75-vjet pas krijimit të shoqërisë së parë futbollistike në këtë qytet.

Ja dhe futbollistët, të cilët në sezonin 1993/1994 (Kampionati i 55-të Kombëtar) e shpallën skuadrën e Teutës, kampione të Shqipërisë:Kujtim Shtama, Xhevahir Kapllani, Ardian Abazi, Eugen Xhakoni, Shpëtim Kapidani, Anesti Qendro, Ardian Dashi, Mikel Furrxhi, Bajram Fraholli, Alvaro Zalla, Ilir Alliu, Alban Mehmeti, Ardian Bushi, Elton Koça, Artan Vila, Dashamir Disha, Enkelejd Dobi, Marenglen Xhai, Fatos Kuçi, Ilir Bushi, Gentian Begeja, Gazmend Çanaku, Elvis Kalaja.
Trajner: Haxhi Ballgjini.


(Marrë nga gazeta ‘Sporti Shqiptar’)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!