Kuqezinjtë nën “armë”, nis Liga e Kombeve
● Kuqezinjtë, më 31 gusht, do të jenë nën urdhërat e stafi të trajnerit Edi Reja, për përgatitjet e ndeshjeve ndaj Bjellorusisë dhe Letonisë.
Pandemia ndaloi dhe vështirësoi shumë procese në jetët tona. Na largoi në të njëjtën kohë edhe nga emocionet e ekipit kombëtar, i cili që nga 17 nëntori 2019, nuk ka mundur të luajë asnjë ndeshje miqësore, ose zyrtare për shkak të Covid-19.
Shqipëria, nën drejtimin e Edoardo Reja, javën e ardhshme rikthehet të na japë emocionet që na kishin munguar. Në datë 29 gusht trajneri Reja do të dalë në një konferencë për shtyp, ku do të flasë për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe listën e tij të të grumbulluarve.
Kuqezinjtë, më datë 31 gusht, do të jenë të gjithë në urdhërat e stafi teknik në seancat stërvitore që do të zhvillohen në Kompleksin Tropikal. Shqipëria luan ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë në 4 shtator në Minsk dhe tre ditë më pas rikthehet në “Air Albania Stadium” për t’u përballur me Lituaninë, rivali tjetër i grupit në këtë edicion të Kupës së Kombeve.
Këto dy ndeshje do të jenë dhe të parat për kuqezinjtë në këtë vit të pazakontë, ku u anulluan dy ndeshjet miqësore me Slloveninë e San Marinon, si edhe dy datat e muajit qershor, ku trajneri Reja me stafin e tij do kishin mundësi të testonin skuadrën në prag të ndeshjeve kualifikuese.