Imobile, “Këpuca e Artë” në Seria A…
Çiro Imobile ka fituar “Këpucën e Artë” 2019/20 në Seria A. Sulmuesi i Lacios, me 35 golat e realizuar në 37 javët e luajtura (pa transfertën e sotme ndaj Napolit), është i pari edhe në klasifikimin e golashënuesve në Europë dhe nuk mund të arrihet nga askush.
Për të dekretuar suksesin e Imobile, është e nevojshme që CR7 të mos luajë sonte kundër Romës. Juventus e ka nxjerrë listën e lojtarëve për ndeshjen dhe në të nuk përfshihet emri i Kristiano Ronaldos, i vetmi që mund të pretendonte titullin e sulmuesit të Lacios.
Kësisoj, tani nuk ka më dyshime. Imobile fiton “Këpucën e Artë” dhe gjithashtu titullin golashënuesi më i mirë në Seria A. Çiro është i pari sulmues italian që nga viti 2006, që e arrin këtë sukses.
Vetëm dy lojtarë të tjerë italianë kishin arritur të fitojnë “Këpucën e Artë” në historinë e Seria A: Luka Toni më 2006 dhe Françesko Toti më 2007. Sulmuesi i “çelestëve” ka kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm, duke mposhtur edhe Robert Levandovski e Bayern Mynihut, që ka shënuar 34 gola në Bundesligë.