Ballkani e Gjilani fitojnë, incidente në Gjilan

U zhvilluan tri ndeshje të javës së 29-të në Ipko Superliga e Kosovës. Dy prej të cilave mjaft të rëndësishme për vijimin e garës për titullin kampion.

Ballkani, skuadra nga Podujeva, të mposhtte Llapin, madje ajo fitoi me rezultatin 5-1. Historia e këtij takimi përfundoi që në pjesën e parë, kur podujevasit, pas barazimi të përkohshëm kryesonin 4-1.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Artur Magani, sulmuesi që sot kishte edhe ditëlindjen, shënoi golin e fundit, duke fiksuar fitoren e thellë 5-1 për Ballkanit, që me 59 pikët e grumbulluara, ndjek Dritën me dy pikë më pak.

Në Gjilan, skuadra e trajnerit Gentian Mezani, duket u dha fund shpresave të Prishtinës për titullin. Vendasit fituan 2-1, ku Veliu dhe Progni, shënuan golat e fitores 2-1 të Gjilanit, që tashmë me 58 pikë, parakaloi Prishtinën dhe renditet në vendin e tretë, me tri pikë më pak se Drita që kryeson.

Duhet thënë se ky takim nuk u shpëtoi incidenteve. Në fillim të pjesës së dytë, portieri i kryeqytetasve, Visar Bekaj, u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Prishtinën me 10 lojtarë në fushë. Në përfundim të takimit, stafi i Prishtinës i kërkuan shpjegime me tone të larta gjyqtarit për këtë veprim.

Aty ndërhyri policia, e cila nuk e kurseu lëngun lotsjellës për trajnerin kryeqytetas, Armend Dallku. Natyrshëm që në vijim pritet edhe reagimi i FFK-së për ngjarjet dhe episodet e ndodhura në ndeshjen e Gjilanit.

Në ndeshjen e Drenicës me Ferizajn, skuadra vendase bëri “detyrat e shtëpisë”. Ajo fitoi pastër 3-0, duke ruajtur largësinë me rivalët që luftojnë për mbijetesë.

Ja dhe përfundimet e tri ndeshjeve të javës së 29-të të Ipko Superligës së Kosovës:

Drenica-Ferizaj 3-0 (Shillova 8’, 90’ Hyseni 9’)
Ballkani-Llapi 5-1 (Topalli 4’, Baftiu 16’, 18’, Krasniqi 38’, Magani 88’ / Pefqeli 9’)
Gjilani-Prishtina 2-1 (Veliu 53’, Progni 66’ / Thaçi 81’)

Nesër do të zhvillohen edhe tri ndeshjet e mbetura të kësaj jave: Dritan-Feronikeli, Trepça ’89-Vushtrria, Flamurtari-Dukagjini.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!