Elvis Plori: ‘Besëlidhja shanse për Superioren…’
Elvis Plori, trajneri 43 vjeçar i Besëlidhjes ndër ekspertët e trajningut shqiptar, nuk ia lë asgjë rastësisë. Nuk i bën naze punës teksa ka drejtuar skuadra si Vllaznia, Kastrioti, Burreli, e Tërbuni.
Shkodrani e mori gjatë qershorit të shkuar Besëlidhjen, skuadrën që prej më shumë se një dekade garon në nivele inferiore.
Ka nisur me disa probleme në start, por më pas, skuadra ka precepituar lart dhe në fund të 11 javëve të para, renditet e dyta pas Kastriotit.
Gjatë merkatos ka afruar disa lojtarë ndërsa në 4 testet miqësore, ka treguar gjendje optimale. Në provën gjenerale në derbin me Laçin e Superiores, fitoi 0-2.
Sinjalet janë të qarta. Klubi lezhjan, pritet të jetë kërcënimi kryesor i krutanëve të Ndreut në Grupin A të Kategorisë së Parë.
Ndërkaq, formula me një biletë fituese dhe një të dytë përmes ‘play-off’-it, shton oreksin e skuadrës së Elvis Plorit.
Plori thotë:
“Klubi aktualisht është mjaft i organizuar. Presidenti Gjokë Noka, i ka krijuar kushte të shkëlqyera skuadrës dhe mendoj se klubi Besëlidhja, duhet marrë shembull.
Si trajner jam shumë komod me kushtet dhe elementet që më janë afruar. Minifazën e konsideroj pozitive.
Kam marrë sinjale të forta nga grupi dhe në miqësoret e zhivilluara, kam konstatuar se përpos lojtarëve kryesorë si Dibra, Sheta, Hepaj, Xhorxheviç, Hajdari edhe pjesa tjetër ka shfaqur ambicje e dëshirë.
Edhe pse do jetë e vështirë ne besojmë fort se mund të bëjmë realitet ngjitjen në fund të edicionit në Superiore”-deklaroi Plori për ‘Sporti im.al’