Sormani pa ‘frena’: ‘Kam vizionin e trajnerit, nuk i njoh lojtarët’

Adolfo Sormani, trajneri i ri i Partizanit, ka folur sot për ‘RTSH SPORT’, duke i bërë skanerin e plotë angazhimit të dytë me ‘Demat’

Klubi i Partizanit e ka publikuar të plotë intervistën në zyrtare…

Rikthimi te Partizani?

Sormani: “Ishte i kërkuar dhe i dëshiruar, në bashkëpunim me drejtorin Olsi Rama dhe presidentin Gaz Demi. Kemi patur një vlerësim reciprok ndaj njëri tjetrit edhe në të shkuarën. Kjo bëri, sipas meje që të kishte vullnet dypalësh për
të vazhduar, ndoshta, një projekt që u ndërpre në mes dikur.

Në këto 3 vite larg Partizanit çfarë ka ndryshuar të Sormani?

Sormani: Në të menduarit mbi futbollin ka ndryshuar vetëm pak, në kuptimin që unë e konsideroj veten si një trajner që kërkon një skuadër e cila luan futboll, imponon lojën, një skuadër që ka një filozofi, në këtë këndvështrim ka ndryshuar fare pak, sepse ideja ka mbetur e njëjta. Në anën tjetër tani mund të them që kam një tjetër vizion, si pasojë e eksperiencës së shtuar në vende të tjera, për më tepër unë në çdo vend që shkoj, di të vlerësoj pjesën më të mirë që ai mund të më japë, duke qenë i ndërgjegjshëm se jam si një mik i ftuar. Eshtë shumë e rëndësishme të kuptohen edhe nevojat e vendit ku je. Këtë e kam vlerësuar menjëherë, por me kalimin kohës kupton gjithnjë e më shumë që është bukur të kesh eksperienca në vende të ndryshme. Që të mundësojnë të rritesh në të gjitha drejtimet.

Çfarë ka ndryshuar te Partizani?

Sormani: Ka ndryshuar mbi të gjitha një gjë thelbësore, sepse është kampioni në fuqi dhe si i tillë është e qartë se është një nder i madh dhe në një tjetër kuptim duhet ruajtur ky stof. Dua të theksoj se gjëja më e rëndësishme sipas meje, është ajo që klubi është strukturuar në mënyrë më të fortë, më konkurruese, më të organizuar. Projekti i presidentit Demi për të përfunduar qendrën sportive dhe stadiumin e vet për mua është një sinjal shumë i fortë i një personi ambicioz që ka projekte dhe që do të thotë se nuk jeton vetëm për të tashmen, por jeton me idenë e projektimit për ndërtimin e diçkaje të rëndësishme. Është një vizion që mendoj se duhet ta kenë edhe tifozët, pra që është e rëndësishme të fitosh, por nëse më pas nuk investon, nuk arrin ti japësh vazhdimësinë projektit tënd.

E njihni skuadrën aktuale?

Sormani: Kam parë disa ndeshje, kështu që i njoh lojtarët. Disa i kam patur nën
drejtim, disa i kam parë të luajnë. Nuk i njoh personalisht, dhe kam atë vizionin trajnerit, por është puna e përditshme ajo që të mundëson ti njohësh më pas nga afër, më së shumti në aspektin karakterial të lojtarit që është gjëja më e rëndësishme sipas meje.

Cilat janë pikat e forta dhe pikat e dobta të skuadrës?

Sormani: Ne njihemi pak. Për mua skuadra është një bashkësi, një gjë e vetme, kështu pikat e forta apo të dobëta, janë aftësia e grupit për tu bërë një i vetëm dhe nuk ka të bëjë me individualitetet. Për mua gjëja më e
rëndësishme mbetet ajo e të luajturit si skuadër, e të ndihmuarit të njëri – tjetrit në çdo moment. Kjo është vendimtare. Në qoftë se do të jesh kampion është
thelbësore të luash në këtë mënyrë. Për ndryshime në skuadër kemi folur në përgjithësi me klubin, por unë nuk do të doja të gjykoja pa i parë dhe testuar vetë lojtarët. Nuk mund të them që për mua ky lojtar është thelbësor, apo ky tjetri nuk më duhet, sepse sipas meje në futboll surprizat janë gjithnjë në menunë e ditës. Kujtoni shembullin e Ramadanit, i cili kur erdha në fillim nuk konsiderohej ende gati, por më pas u kuptua potenciali i tij dhe tashmë ai është një lojtar i kombëtares. Gjithnjë varet nga këndvështrimi, nga syri i ndryshëm sesi i sheh gjërat.
Është e qartë, megjithëse e dimë ku duhet të ndërhyjmë për të përmirësuar
cilësinë, jo vetëm atë teknike apo taktike, por atë mendore dhe karakteriale të lojtarëve, që duhet të jetë e rëndësishme për të qëndruar në nivele të larta, dhe për një lloj futbolli të caktuar.

Çfarë do të sjell ndryshe Sormani për të rikthyer Partizanin fitues?

Sormani: Pres fillimisht të kem disponibilitetin e të gjithë lojtarëve, sepse ky është futbolli për mua, është si jeta, pak a shumë. Në qoftë se ti mendon se mund ti bësh gjërat i vetëm, nuk ke kuptuar sesi funksionon. Në çdo kontest të caktuar gjithnjë ke nevojë për ndihmën dhe bashkëpunimin e atyre që të rrethojnë. Unë pres që lojtarët të kuptojnë se unë dua që ata të bëjnë lojë skuadre. Dikë që nuk do të bëjë këtë unë nuk do të mundem ta toleroj.

Cili është objektivi juaj afatshkurtër dhe ai afatgjatë, në drejtimin e Partizanit?

Sormani: Objektivin afatshkutër është e kotë ta fshehim. Është e qartë që nëse nuk je kampion dëshiron të vazhdosh të jesh. Edhe pse duhet të pranojmë se që të fitosh është ekstremist e vështirë. Vetëm ai që nuk ka fituar e di sesa e
vështirë është të fitosh. Dhe sipas meje është akoma më e vështirë të konfirmohesh në atë që ke fituar. Por objektivi qartësisht është titulli. Objektivi më ambicioz është ai që kemi diskutuar me drejtorin Olsi Rama dhe Presidentin Demi të krijojmë një filozofi futbolli agresiv, dinamik, që mund të jetë më pas kompetitiv edhe në kompeticionet evropiane.

Mendoni se mund të përsërisni suksesin e arritur në Kupat e Europës me Partizanin?

Sormani: Ai është pikërisht shembulli që tregon se gjërat nuk merren asnjëherë të mirëqëna. Sipas meje kur ke vendosmërinë, përtej cilësisë që mbetet e domosdoshme, mund të arrish shumë, por për mua ai moment është treguesi që nëse përgatitesh si duhet dhe idetë janë të qarta për secilin se çfarë duhet të bëjë, mund të përballesh me këdo, edhe me skuadra që fillimisht i mendoje të një niveli tjetër. Por ai mbetet shembulli klasik i një skuadre që bën vërtetë lojë skuadre. Edhe pse individualisht të tjerët ishin më lart, me mënyrën tonë, luajtëm si të barabartë, madje mendoj se në disa momente ishim edhe më mirë se skuadra më cilësore se ne.

Kontrata juaj me Partizanin?

Sormani: Është një lidhje me kohë të gjatë, 2 vite e gjysmë, pikërisht sepse së bashku me Presidentin Demi kemi menduar se ky është momenti për të kërkuar vazhdimësinë, por edhe sepse në qoftë se idetë e mia nuk funksionojnë unë nuk e kam fare problem të bëj mënjanë. Jam një person ekstremisht i drejtpërsëdrejt i qartë. I kam idetë të qarta, jam shumë kërkues, e di. Disa herë më thonë që jam më shumë sesa duhet kërkues, dhe kjo është pjesë e karakterit, por unë i respektoj të gjithë dhe mbi të gjitha kam aftësinë të nxjerr më të mirën prej cilitdo lojtar.

Mesazhi juaj për tifozerinë e Partizanit..

Sormani: Me tifozët jemi njohur pjesërisht në atë kohë. Ata e dinë se unë dukem shumë i ashpër apo strikt. Unë kam pritshmëri të larta në fakt, para së gjithash ndaj vetes sime, për atë që duhet të bëj për klubin dhe për tifozët. Ajo që unë do tu kërkoja atyre është që ti qëndrojnë sa më afër djemve, sepse është një moment i veçantë, dhe duke qënë se objektivi është i përbashkët dhe na përfshin të gjithëve, duhet të rremojmë të gjithë në të njëjtin krah, me entusiazëm, shpirt të lartë sakrifice, sepse pa të smund të bëjmë asgjë, por edhe më shumë optimizëm, më shumë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!