UEFA: Shansi i dytë, i “trisit” shqiptar…
Tri kampionet shqiptare, Partizani, Shkëndija e Tetovës dhe Feronikeli, pasi janë eliminuar nga Champions League, të favorizuara nga UEFA do të kenë edhe një shans të dytë për të vazhduar rrugëtimin e tyre në Europa League. Madje me kohë, ishte përgatitur edhe skema dhe tashmë janë njohur edhe me rivalët e tyre.
Të kuqtë e Partizanit do të përballen moldavët e Sherif Tiraspolit. Takimi i parë do të luhet të enjten e 25 korrikut, ora 17:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Kthimi, pas një jave, më 1 gusht, ora 19:00 në stadiumin e Tiraspolit në Moldavi.
Ndërkaq, Shkëndija e Tetovës do të ndeshet me skuadrën luksemburgase Dudelazh. Takimi i parë do të zhvillohet në stadiumin e Shkupit, të marten e 23 korrikut, duke nisur nga ora 17:55. Ndeshja e kthimit, pas një jave, më 30 korrik, po në orën 17:55, në Luksemburg.
Kampioni më e re shqiptare, Feronikeli, do të përballet me Sllovan Bratislavën. Ndryshe nga simotrat e saj, skuadra e Niklit, takimin e pare do ta zhvillojë në transfertë, të mërkurën e 24 korrikut, në Bratislavë, në orën 18:00. Kthimi pas një jave, më 30 korrik, në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.