Një më pak, pa kapitenin në Shqipëri…

Pas humbjes 1-0 të kuqezinjve në Rejkjavik ndaj Islandës, ndeshja e së martës në “Elbasan Arena” ndaj Moldavisë, bëhet tepër e rëndësishme për Kombëtaren tonë.
Moldavia sot ka mundur të fitojë 1-0 ndaj Andorrës, duke u ngjitur në kuotën e 3 pikëve, po aq sa kuqezinjtë tanë. Golin e fitores e shënoi Armas në të 8-tën, për ta ruajtur deri në përfundim të takimit.
Por në këtë takim moldavët kanë humbur kapitenin e tyre, mesfushorin Artur Ionita, i cili në minutat 38 dhe 47 është ndëshkuar me dy kartonë të verdhë, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë.
Kështu, mesfushori Ionita, një prej futbollistëve më të dalluar të Moldavisë, që aktivizohet me skuadrën e Kaljarit në Itali, nuk do të jetë i pranishëm në “Elbasan Arena”, duke krijuar një mungesë të konsiderueshme në radhët e moldavëve.