E parafundit, llogaritë në “muzg”

● Sot në katër stadiume betejat e parafundit. Laçi-Tirana sfida delikate. Në “Selman Stermasi”, Partizani zyrtarizon titullin e 16-të në histori.
Nga Erga Kruja Kenga
Edhe 180 minuta. Kampionati i 80-të Kombëtar i Superiores, gati të japë verdiktet. Sot në 16:30, katër betejat me enigmat që pritet të zbardhen para se të bjerë muzgu.
Partizani-Kukësi në kryeqytet për t’i dhënë sharmin festivo-zyrtar kampionëve më të rinj të Shqipërisë-Partizanit. Klubi, ka njoftuar festë të paparë. Legjitime. 26 vite pritje, janë një”shekull’.
Kukësi i zhurmshëm edhe kur s’ka “halle”, sot do pikë. Flamurtari, sapo ka shtuar tri pikë të (pa)luajtura me Kamzën.
Teuta e konsoliduar javët e fundit, udhëton në Fushë-Krujë. E pret një skuadër e “kuqe” flakë. Krutanët e Kastriotit, teksa habitën të “madh e të vogël” me këtë ecuri fantastike gjatë 2019-ës në garë për të shpëtuar, i kanë llogaritë e bëra. Tri pikë ndaj bregdetarëve dhe me një “vesh” nga Laçi. Aty ku luan Tirana me bardhëzinjtë vëndas.
Në juglindje, ka pak për të ndarë… Skënderbeu do të presë Luftetarin. Gjirokastritët e shpëtuar matematikisht, ndoshta me ndeshjen më të qetë sezonale.
Jo kështu në aspektin klub që “marrëzisht” bëri dalje para kohe shpëtimtarin – Julian Ahmataj. Shehu dhe Korça duan fitoren. Për të pritur më pas vendimin e KAS. Europa larg dhe afër…
Në Laç, supersfida. Kurbinasit dhe matematika, “binomi” misterioz në 180 minuta për “trenin” Europë. Tirana, ky emer i madh i futbollit shqiptar, papritmas kërkon qetësinë në “kafazin e trazuar”. Dy pikë mbi Kastriotin, mund të mos mjaftojnë.
Llogaritë do bëhen në…”muzg”.
