“Duam rezultat, s’e shikojmë renditjen”

Ashtu si të gjithë rishtarët, edhe Ernest Gjoka ndeshjen debutuese të rikthimit të tij në krye të Kukësit e nisi me fitore ndaj Laçit në transfertë. Trajneri i verilindorëve nesër është përballë Flamurtarit.

Në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide, Gjoka u ndal te fliste edhe për ish-skuadrën e tij Flamurtarin, duke vlerësuar punën e kolegut Ilir Daja, ndërsa foli edhe për individë të veçantë.

Gjithsesi, në asnjë rast ai nuk e vuri në diskutim synimin e skuadrës së tij për të fituar ndaj Flamurtarit, çka do të forconte vendin e dytë në renditje, si dhe do të vazhdonte luftën në distance me Partizanin kryesues.

Flamurtari “Ndeshje e vështirë ndaj një rivali me emër të madh dhe me lojtarë cilësorë, por edhe trajneri kampion. Duam rezultat pozitiv, s’e shikojmë renditjen”.

Musolli? “I ka kaluar testet, them se është gati. E kaloi testin 30 minutësh në Laç dhe është gati për të luajtur titullar. Është i rëndësishëm për mua, ashtu si Shameti e Rrumbullaku, që më njohin mirë. Është një nga lidër te Kukësi”.

Reginaldo-Shkurtaj – “Dëshira ime si trajner është të kem dy sulmues në fushë dhe për mua është fat që i kam të dy. Sigurisht që duhet të përshtaten shumë shpejt sepse janë dy lojtarë me karakteristika të ndryshme. Nëse Shkurtaj është potent, Rexhinaldo është i shpejtë dhe shumë i shkathët. Mua më takon që të gjejmë sa më shpejt gjuhën e përbashkët që ata të bashkëpunojnë dhe të japin produktin për skuadrën”.

Presioni për trofe – “Presidenti Gjici ka investuar dhe kërkon trofe. Kushtet janë, besoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta mbyllur sezonin me trofe”.

Ndryshimi te Kukësi – “Një nga gjërat kryesore është se këtu kisha lënë një mentalitet dhe idea ime ishte që që për të arritur sukses duhet luajtur mirë. Grupi u përshtat shumë mirë, ndoshta kanë ndikuar edhe lojtarët që kanë qenë këtu në kohën time. Nuk kam ndryshuar dot shumë gjëra, kam punuar sidomos në aspektin psikologjik”.

Të dielën, në orën 15:45, në stadiumin “Elbasan Arena” do të zhvillohet takimi Kukësi-Flamurtari, i vlefshëm për javën e 29-të të Superiores.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!