Diego Kosta, 8 javë përjashtim!
Janë shtangur te Atletiko Madrid. Sulmuesi i tyre brazilian Diego Kosta, i cili doli jashtë me karton të kuq në takimin ndaj Barcelonës, është dënuar 8 javë përjashtim nga Disiplina spanjolle.
Kosta, i natyralizuar si spanjoll, është përjashtuar 4 javë për fyerje ndaj gjyqtarit të takimit Gil Manzano dhe 4 javë të tjera për prekje me duar të gjyqtarit të takimit.
Gjithashtu Federata Spanjolle e Futbollit edhe e ka gjobitur financiarisht sulmuesin e Atletikos. Si pasojë e këtyre masave disiplinore, Diego Kosta do të humbasë gjithçka në finale të sezonit, ku skuadra e Simeones lufton për vendin e dytë në ligë.
Në raportin e ndeshjes që u luajt në “Kamp Nou”, ku Barcelona fitoi 2-0, gjyqtari Gil Manzano ka shkruar në protokoll, se sulmuesi Kosta, përveç një serie fyerjesh, gjithashtu e ka “rrëmbyer” atë nga krahët.