Gani Mezini, “Mjeshtër i Madh”
Sportit vlonjat sot iu shtua edhe një “Mjeshtër i Madh”. Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e tij, z. Ilir Meta, dekoroi mësuesin dhe sportistin e gjithanshëm, Gani Mezini me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Në një ceremoni të organizuar në mjediset e universitetit “Ismail Qemali” të qytetit të Vlorës, sot pasdite, në prani të ish-sportistëve të shquar të sportit vlonjat, një tjetër mjeshtër i madh i sportit shqiptar, z. Leonard Tase, në emër të Presidentrit të Republikës, i dorëzoi titullin e lartë dhe medaljen përkatëse, mjeshtrit të gjimanstikës vlonjate, Gani Mezinit.
“Gani Mezini është një personalitet i njohur i sportit shqiptar, me një kontribut të çmuar në qytetin e Vlorës në zhvillimin dhe rritjen e kulturës fizike dhe sportit në këtë qytet.
Një kontribut të veçantë ai ka dhënë si drejtues i edukimit fizik dhe sportit në qytetin e Vlorës dhe do të vlerësohet gjithmonë për rezultatet e suksesshme të arritura nga ekipet e Flamurtarit në vitet 1981-1990.
Në atë periudhë, falë përkushtimit dhe korrektësisë së tij, shumë sportistë e skuadra vlonjate shkëlqyen me rezultatet e tyre të larta në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare”, – tha në fjalën e tij Leonard Tase, këshilltari i Presidentit për sportin.