Surprizë! Kazakistani turpëron Skocinë…
● Kazakët mposhtin 3-0 skocezët në nisje të eliminatoreve për Euro 2020 në grupin “I”. Qipro luan “tenis” me San Marinon, fiton 5-0.
Eliminatoret për Euro 2020 kanë nisur me një surprizë. Në stadiumin e Astanasë, kryeqytetit të largët të Kazakistanit, idhullorët skocezë të teknikut Meklish, janë dorëzuar pa kushte. Ata janë mundur keqazi 3-0 nga kazakët, duke shkaktuar edhe befasinë e parë të këtij aktiviteti në Europë.
Vendasit kaluan qysh në minutën e 6-të në epërsi me anë të Pertsuk. Pa kaluar 4 minuta, në të 10-të, Vorogovski i çoi shifrat në 2-0 për kazaket. Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 51-të, Zainutdinov do t’i jepte goditjen përfundimtare skocezëve. Ai do të shënonte dhe do të fiksonte fitoren 3-0 për kazakët.
Kjo ishte vetëm fitorja e 5-të në kualifikueset europiane në historinë e Kazakistanit, por një nga më të bujshmet, duke llogaritur se vinte përballë një skuadre si Skocia, e cila pak kohë më pare mposhti me lehtësi 4-0 Shqipërinë në Shkodër dhe ka siguruar pjesëmarrjen për në play-off të Nations League.
Në grupin “I”, krahas Skocisë dhe Kazakistanit, bëjnë pjesë edhe Belgjika, Rusia, si dhe Qipro me San Marinon. Këto të fundit, u përballën në Nikosia. Qipriotët nuk e vunë për asnjë cast në dyshim fitoren ndaj modestëve të San Marinos, duke fiksuar shifrat 5-0.
Soteriou, dy herë radhazi, në minutat 19 dhe 23 nga pika e bardhë e penallties, nuk gaboi. Kousoulos në të 26-tën dhe Efrem në të 31-tën minutë, mbyllën pjesën e parë me shifrat 4-0. Do të ishte më pas Laifis, ai që në minutën e 56-të, do të fiksonte edhe fitoren e thellë 5-0 të Qipros ndaj San Marinos në këtë ndeshje hapëse për Euro 2020 për grupin “I”.