Ata, lanë Spanjën për Katalonjën…

Po, po është e vërtetë. Xherard Pike dhe Ksavi Hernandez, pasi i kanë dhënë lamtumirën “furive të kuqe” të Spanjës, në radhët e së cilëve kanë fituar Kupën e Botës dhe Kupën e Europës, pra gjithçka që ëndërron çdo futbollist, tani do të luajnë për ngjyrat e Katalonjës.
Mbrojtësi i Barcelonës, 32-vjeçari Pike dhe mesfushori i Al-Sadit, 39-vjeçari Ksavi, kanë pranuar ftesën e trajnerit Xherard Lopez për të qenë pjesë e ekipit përfaqësues të Katalonjës, në miqësoren kundër Venezuelës.
Ky takim do të zhvillohet të hënën e 25 marsit, në stadiumin “Montilivi” të Xhironës.
Ftesës të trajnerit Lopez nuk i është përgjigjur mbrojtësi i Barcelonës Xhordi Alba.
Ndërkohë që në radhët e përfaqësuese katalanase do të jenë edhe mbrojtësi i Betisit të Seviljes Mark Bartra, si dhe sulmuesi Bojan Krkiç që luan në radhët e anglezëve të Stok Sitit. Që të dy këta të fundit, kanë qenë më herët pjesë e skuadrës katalanase të Barcelonës.
Ekipi kombëtar katalanas nuk është njohur nga FIFA, por ai mund të luajë ndeshje miqësore, si kjo e së hënës ndaj Venezuelës.