Euro 2024/ Ndeshjen e humbi Silvinjo

Eksperimentet e trajnerit brazilian dështuan, skuadra edhe pse shënoi një gol historik, performoi mjaft dobët

EUEO 2024, Grupi B:
Itali – Shqipëri 2-1

Shqipëria nuk ia del të fitojë, por ia del të shkruajë historinë në ndeshjen e parë të EURO 2024 në Grupin B. Goli më i shpejtë i shënuar ndonjëherë në një kampionat europian mban firmën e Nedim Bajramit.

Vetëm 22 sekonda lojë, ishte ky gol që ngriti peshë mijëra tifozë kuqezi të pranishëm në “Signal Iduna Park” të Dortmundit. Atëherë kur askush se priste, nga një rivënie me duar e gabuar e italianëve, përfitoi Bajrami duke tundur rrjetën dhe zemrat e kuqezinjve.

10 minuta mundën të rezistonin të besuarit e Silvinjos para se ata të Spaletit të rrëmbenin skenën duke barazuar e duke përmbysur në harkun kohor të 5 minutave. Bastoni dhe Barela i dolën zot Italisë në sfidën e sotme duke mbyllur llogaritë në të 16′-tën pasi në minutat e mbetura nuk ndryshoi asgjë.

Edhe pse kuqezinjtë u duk se e rimorën veten me startin e fraksionit të dytë të sfidës, rruga për te goli i barazimit nuk u gjet duke e nisur me humbje këtë aventurë në Grupin B të EURO 2024.

Është Spanja që kryeson renditjen e këtij grupi pas fitores 3-0 ndaj Kroacisë, ndjek Italia po me 3 pikë, teksa mbyllin Shqipëria e Kroacia me asnjë pikë të grumbulluar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!