Partizani fiton derbin, Vllaznia një pikë në Durrës

  • Pas Egnatias, tashmë e shkëputur në krye, Partizani i afrohet me një pikë Vllaznisë së vendit të dytë. Blutë jashtë zonës final 4

Nga Sara Gjidiaj

Këtë të shtunë është mbyllur java e 32-të Abissnet Superiore me 3 sfidat e fundit në program. Fitore pastër e Partizanit në derbin me Dinamon, përmbysje e Egnatias kryesuese në Laç dhe barazim pa gola mes Teutës dhe Vllaznisë.

Partizani arrin të kalojë në avnatazh në minutën e 30′-të pas këmbënguljes së vazhdueshme te porta e Salit. Bintsuka është ai që finalizon dhe zgjon festën në “Arenën e Demave”.

Pa u mbyllur pjesa e parë, një penallti akordohet për të kuqtë që pas ndërhyrjes së VAR anulohet dhe vetëm pak çaste më pas 11-metërshi i dhurohet miqve që gabojnë me Qirkon që rrëmben skenën.

Në të dytën Partizani vulos gjithçka me Kekon duke mbërthyer 3-pikëshin. Tashmë ata ruajnë vendin e tretë me diferencë prej 5 pikësh nga Tirana e cila ka 46 pikë, po aq sa Dinamo.

Në “Niko Dovana” shumë luftë por pa fitues. Durrsakët shfaqen më kërkues edhe pse kjo nuk mjafton për të siguruar fitoren. Pa fat vendasit teksa i vetmi gol i shënuar i anulohet për pozicion jashtë loje.

Sakaq, në Laç kurbinasve iu iku fitorja nga duart me Egnatian që përmbysi gjithçka duke vërtetuar dhe njëherë se di shumë mirë si fitohet ndaj bardhezinjve.

Sa i përket klasifikimit, Egnatia vijon kryesimin me 60 pikë, Vllaznia renditet e dyta me 52 ndërsa Laçi dhe Teuta rrezikojnë play-off-in me pikë të barabarta, 38.

Abissnet Superiore, Java 32:
Teuta – Vllaznia 0-0
Partizani – Dinamo 2-0 (Bintsuka 30′, Keko 70′)
Laçi – Egnatia 1-2 (Melo 23’/ Montenegro 62′, Ibrahimoglu 69′)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!