Konferenca/ Silvinjo: Vëzhgojmë, testet nuk i konsiderojmë miqësore

Trajneri: Mendoj se vuajtjet për listën janë nga maji, sot nuk mendoj aspak këtë pikë.

Trajneri kuqezi Silvinjo doli sot para mediave për të shpjeguar zgjedhjet e futbollistëve të grumbulluar për miqësoret e marsit ndaj Kilit (22 mars) dhe Suedisë (25 mars).

Silvinjo:

“Daku, Muja, Gjausla, kanë bërë një rrugëtim të rëndësishëm te ne, kanë bërë mirë, janë lojtarë që i kam në konsideratë, padyshim. Nuk janë këtu jo për zgjedhje teknike, kam nevojë që të shoh lojtarë. Ajo dhimbje koke për zgjedhjen është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një trajneri. Dua ta kem këtë dhimbje koke. E persërit që janë lojtarë të rëndësishëm, janë në konsideratë. Janë pjesë e planeve, por sot nuk mund të marr 30-35 lojtarë, por duhet të shohim lojtarë si Manaj që vjen për herë të parë e Broja për të dytën, por u largua për dëmtim herën e parë. Apo Hoxha të cilin ne e ndjekim prej tre muajsh. Ai është i djathtë që luan majtas, më pas do të flas me të po ai është 100% në krahun e majtë. Të shohim pastaj a mund të luajë edhe në krah tjetër, duhet të vëzhgojmë lojtarë. Nuk është i lehtë vëzhgimi.

Sa i përket ekuilibrit të skuadrës, jam i kënaqur. Edhe ana ofensive dhe mbrojtëse, kemi mbyllur një kualifikuese të rëndësishme si mbrojtja më e mirë, jam i kënaqur nga mbrojtësit, mesfushorët, por edhe sulmuesit, se mbrojnë të gjithë, për ekuilibrin. Duhet të bëjmë vëzhgime. Vëzhgimi nuk është vetëm lojtari brenda fushës, shihet që kur vjen, në stërvitje, në çdo ushtrim në seance, padyshim edhe në ndeshje. Por jo që një lojtar është 30-35 minuta në  fushë dhe shihet, shihet gjithçka për të kuptuar çfarë bën, që në momentin kur mbërrin të dielën. Ne shohim sjelljen e çdo lojtari. Nuk cilësohen më miqësore, të dy skuadrat janë shumë të forta, Kili ka lojtarë të rëndësishëm, është shkollë futbolli teknike, ka lojtarë si Sançez, Vargas, Diaz, ka lojtarë të rinj si Perez. Suedia është shumë e fortë, vlera individuale të çmendura, nivel i lartë, ka lojtarë të Mançester, Atalanta, Totenhem apo Volfsburg. Nuk ka miqësore, e dimë që duhet të luajmë në nivel më të lartë se përballë ka nivel më të lartë, duhet ta provojmë dhe të përmirësohemi

Miqësore vendimtare për listën e Europianit? Do të jetë e rëndësishme, nuk di të them nëse vendimtare, por shumë e rëndësishme. Unë dhe stafi nuk mund të harrojmë rrugëtimin, por do të jetë e rëndësishme. Të gjithë marrin 25-26, ndokush 27 lojtarë, ky është momenti të provosh diçka, të shohësh lojtarë. Vendimtare nuk di të them, por e rëndësishme po.

Unë mendoj se vuajtjet për listën janë nga maji, sot nuk mendoj aspak këtë pikë. E vërtetë që kemi bërë një rrugëtim dhe kemi dy ndeshje, duhet vlerësuar gjithçka. Në këtë moment jemi të përqendruar te këto ndeshje. Pastaj kur të nisë prilli, në zyrë, rishihet gjithçka, që nga ndeshja e Polonisë në Varshavë dhe vlerësohet. Aty po, si ish-lojtar e di që është e vështire, por tani nuk e mendoj aspak. Tani jam i përqendruar te ndeshjet dhe te vëzhgimi. Unë nesër do jem i pari në fushë, që në mesditë, se është puna jonë, duhet të rritim nivelin e lojës në çdo aspekt, në fazën e mbajtjes së topit dhe jo, në goditje standarde, se do të shkojmë të luajmë në një futboll të nivelit shumë të lartë. Zgjedhja është e vështirë, por t’ia lëmë këtë muajit maj.

Efekti i kthimit të Brojës e Manajt në grupin kuqezi? E lehtë të përgjigjesh, frikë kurrë. Ata e dinë që në ditën e parë se Kombëtarja është e hapur, ka qenë gjithmonë. Ne nuk jemi klub që kemi 26 lojtarë dhe presim merkaton të marrim një. Hoxhën, e ndjekim prej tre muajsh, më kujtohet ndeshja e fundit e pak ditëve më parë por që prej 15 ditësh ishte vendosur. Ne ndjekim shumë lojtarë dhe pastaj vëzhgojmë, vlerësojmë dhe ecim para, Unë jam i bindur për këtë ide, që Kombëtarja është e hapur. Kemi marrë në konsideratë të gjithë lojtarët, por në dhomat e  zhveshjeve ka një raport të mirë mes të gjithëve dhe nuk mendoj se kjo situatë do të jetë ndryshe, asnjëherë.

Në fushë është në proporcion të shkosh të luash, fitosh, barazosh e humbësh. Ndodh. Kur shkojmë në fushë nuk mendoj ndonjëherë që të barazojmë. Më kujtohet ndeshja në Moldavi. “Trajner çfarë mendoni për një pikë?”. Është e pamundur, e pamundur! Pas 30 vitesh futboll nuk më kujtohet një strategji që kemi shkuar në fushë që të luajmë për të mos pësuar gol. Është e pamundur se pastaj e pëson golin. Nuk mund të shkojmë në fushë për të thënë ne do humbasim, jo, mendohet të fitojmë ndeshjen. Nuk e di a jeni të ndërgjegjshëm por Ajeti dhe Ismajli janë të dëmtuar, kemi parë situatën e tyre, kemi folur me mjekët, me Stezinen (mjekun Kombëtares), kemi folur me dy lojtarët. Nuk do rrezikojmë, janë jashtë, na vjen keq. Por kthehet Kumbulla, kemi Veselin, Mersinajn, duhet t’i shohim të gjithë. Për rezultatin pastaj punohet për të fituar, por unë nuk besoj prej shumë vitesh në fjalën miqësore.

Ky është moment i rëndësishëm vëzhgimi në të gjithë stërvitjet, edhe aty do të provojmë gjithçka. Në kombëtare nuk humbet kohë,  të gjitha stërvitjet që do bëjmë, 6 kundër 6, apo 8 kundër 8, do i t’i provojmë. Përshtatja e një lojtari më shumë se një skemë, një lojtar që kombinon ky me këtë, kombinon shumë mirë. Them mund ta provojmë në stërvitje dhe në fushë, jo saktësisht një ndryshim moduli, nuk është ajo që mendojmë, por mund të ndryshojë më vonë.

Rinovimi? Kemi një raport shumë të mirë me Federatën, po punojmë. E kam thënë që kemi mendjen te Europiani, shpenzohet shumë energji, ka shumë punë, kundërshtari është i vështirë.  Pas këtyre dy ndeshjeve do flasim më shumë për kundërshtarët, por që nga aty do bëjmë gjithçka për Europianin, aty të shkëlqejnë sytë. Ne të gjithë po mendojmë vetëm për Europianin dhe jo për situatën.

Është fakt që ka lojtarë që nuk aktivizohen. Në jetën e një lojtari sa më shumë luan, aq më mirë. Por qartësisht unë edhe si një trajner, nëse një lojtar me pyet diçka për ndryshim i dëgjoj, por nuk jam në gjendje t’i them të ndryshojë apo jo. Unë vëzhgoj lojtarët, ndoshta luajnë apo jo, nëse përpiqen që të shkojnë në fushë. Puna në klub i sjell këtu. Por nuk mund të themi se nuk shqetësohemi, nuk mund të themi gënjeshtra, sa herë që nuk luan një lojtar. Por nuk mund të bëjmë asgjë, durim dhe të punojmë kur vijnë te ne.

Si trajner pres që një lojtar të shkojë në fushë dhe bëjë mirë, kjo është e gjithë puna e një stafi teknik, që kemi parë shumë lojtarë. Janë lojtarë të tjerë të njohur në gjithë botën, por edhe në klube më të vogla e ne duhet t’i ndjekim. Nëse vijnë ndoshta mund të bëjnë mirë. Ëndrra e një trajneri është të hedhë në fushë një lojtar e zhvillohet, por ne ëndërrojmë që të vijnë më shumë se kombëtarja është hapur, kjo është e shëndetshme. Është e mirë që një lojtar të shkojë në fushë e thotë dua të punoj më shumë për të garantuar vendin tim. Është një lojtar që dua, por është ende 14-vjeçar, duhet ende shumë kohë për të.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!