Konferenca Vjetore e Sigurisë, Mandro: Oficeri i sigurisë me rëndësi

Një javë më parë, institucioni europian i futbollit, UEFA organizoi Konferencën Vjetore të Sigurisë “Sharing the Stage”, një event madhështor ku morën pjesë rreth 440 persona nga të 55 federatat anëtare të UEFA-s. Kjo konferencë e rëndësishme zhvillohet çdo fillimvit përpara nisjes së edicionit të ri, me qëllim analizën e problemeve dhe sfidave të ndryshme lidhur sigurinë me ndeshjeve të kompeticioneve të futbollit të organizuara nga UEFA.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm, që u mbajt në qytetin e Stambollit në Turqi, e që për tre vite me radhë është zhvilluar përmes platformave online për shkak të kufizimeve nga pandemia covid-19, ishin të ftuar të gjithë aktorët e të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi për sigurinë e ndeshjeve të futbollit, si për shembull ekspertët e sigurisë së UEFA-s, ekspertët e sigurisë së Federatave, të klubeve, përfaqësues të Policisë së Shtetit etj. Federata Shqiptare e Futbollit u përfaqësua në këtë konferencë nga Oficeri i Sigurisë në FSHF Armando Mandro, ndërsa Policia e Shtetit nga Shefi i Sektorit të Rendit, z. Agron Çeli.

Në një intervistë për fshf.org, Armando Mandro tregon detaje nga kjo konferencë e sigurisë së UEFA-s, duke treguar se një diskutim të gjatë pati edhe rreth finales së suksesshme të Ligës së Konferencave në Tiranë, që pavarësisht merakut të ekspertëve të UEFA-s në fillim, i kaloi të gjitha pritshmëritë e tyre. “Konferenca vjetore e sigurisë së UEFA-s është një event që mbahet në mënyrë të përvitshme për të analizuar problemet dhe sfidat e sigurisë që konstatohen në të gjitha ndeshjet e kompeticioneve europiane të futbollit të organizuara nga UEFA dhe Federatat përkatëse. Kishte gati tre vite që kjo konferencë nuk ishte zhvilluar fizikisht për shkak të periudhës së pandemisë, duke u rikthyer këtë vit në Stamboll me një pjesëmarrje prej 440 personash. Në këtë konferencë marrin pjesë të gjithë aktorët e të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi për sigurinë e ndeshjeve të futbollit, siç janë ekspertët e sigurisë së UEFA-s, ekspertët e Sigurisë së Federatave, ekspertët e Sigurisë së klubeve që luajnë në kompeticionet europiane, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, të rrjeteve të shkëmbimit të informacionit, përfaqësues të organizatave të tifozëve dhe mediave e aktorëve të tjerë me interes për ndeshjet e futbollit. Duke analizuar nëpër panelet e konferencës, nëpërmjet videove treguese dhe diskutimeve u analizua sigurisht edhe finalja e Ligës së Konferencave në Tiranë dhe ishte një nga treguesit më pozitivë të këtyre kompeticioneve të sezonit që lamë pas. Të gjithë ata që diskutuan, ekspertë të sigurisë së UEFA-s shprehën merakun e tyre fillimisht, pasi ishte finalja e parë e Ligës së Konferencave dhe ishte hera e parë që zhvillohej në Shqipëri dhe Tiranë, por i kaloi pritshmëritë e tyre, duke realizuar një sukses, që erdhi falë bashkëpunimit të FSHF-së me Policinë e Shtetit, me Shërbimin kundër Zjarrit, Shërbimet Parësore dhe me të gjithë aktorët e tjerë. Diskutimet në panele u fokusuan te trajnimi i përbashkët me kompanitë e sigurimit privat, Policisë së Shtetit e deri te dita e ndeshjes ku ishte fokusi maksimal dhe ku çdo gjë kaloi të gjitha pritshmëritë duke qenë se kishte shumë sfida” – zbulon Armando Mandro.

Më tej, Mandro shpjegon edhe gjendjen e klubeve shqiptare, lidhur me sigurinë dhe oficerin e sigurisë. Sipas rregullores së re të sigurisë për ndeshjet e futbollit, e bazuar në VKM-në e muajit janar, çdo klub duhet të ketë në përbërjen e tij një oficer sigurie. Mandro vlerëson këtë figurë kaq të rëndësishme për një skuadër, duke përmendur edhe suksesin e Vllaznisë dhe vlerësimin nga UEFA në ndeshjen ndaj Craiova-s.“Pavarësisht se kemi parë te disa klube këtë sezon një lloj lëvizje në drejtim të sigurisë, përsëri kemi një sërë sfidash përpara dhe sfida kryesore është që të pajisen të gjitha klubet me një oficer sigurie, veçanërisht ato të “Abissnet Superiore” dhe “Kategorisë së Parë”. por gjatë sezonit që kaluam, veçanërisht gjatë kompeticioneve europiane, dua të theksoj se disa prej klubeve bënë shumë përpjekje për të organizuar më mirë ndeshjen, si Tirana dhe Vllaznia. Kjo e fundit në një koordinim shumë të mirë me Policinë e Shkodrës dhe Shërbimin e Parë arriti që të merrte vlerësim maksimal edhe nga UEFA për organizim shumë të mirë të ndeshjes që kishte me ekipin rumun të Craiovës. Pajisja e ekipeve me oficer sigurie është shumë e rëndësishme dhe aktualisht jemi në fazën përfundimtare të rishikimit dhe miratimit të rregullores së sigurisë për ndeshjet e futbollit, që bazohet edhe në VKM-në e muajit janar të këtij viti, njëra pikë e së cilës parashikon që çdo federatë sportive duhet të bëjë rregulloren e saj të sigurisë në bazë të kësaj VKM-je.

Ne do të përpiqemi që t’i trajnojmë klubet dhe ta implementojmë këtë rregullore dhe t’i bëjmë klubet të kuptojnë përmes trajnimeve rëndësinë e oficerit të sigurisë dhe masat që ata duhet të marrin për organizimin e ndeshjeve të futbollit veçanërisht në drejtim të sigurisë. Të gjithë klubet e futbollit duhet të kuptojnë që pasja e një oficeri sigurie për secilin klub, do të thotë një stadium më i sigurt e më shumë spektatorë. Të gjithë ne dëshirojmë të shkojmë me familjet tona, me fëmijët tanë në stadium për të parë një ndeshje futbolli. Dhe në një mjedis i sigurt, pjesëmarrja sigurisht do të rritet” – thotë Armando Mandro.FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!