Letra e veçantë për Babatunde nga Polonia

  • “I vlerësoj sinqerisht arritjet tuaja përgjatë karrierës suaj futbollistike.
    Brenda 90 minutash unë mund të harroj botën, mund të harroj të gjitha problemet. Futbolli siguron socializimin, futbolli është mënyra për të mësuar disiplinën, besnikërinë”-shkruan Kot

Një surprizë sa e veçantë aq dhe këndshme ka mbërritur ditët e fundit në Klubin e Futbollit Laçi. Bëhet fjalë për një letër -dërgesë nga Polonia adresuar drejt futbollistit bardhezi, nigerianit Majkëll Babatunde.

E veçanta është se një 29-vjeçar nga Varshava ka shprehur gjithë vlerësimin e admirimin për futbollistin e Laçit në një letër ku dhe i kërkon autografin e tij. Ndoshta Lukas Kot nuk e di që te kurbinasit është afruar një ish futbollist i Kombëtares polake si Ariel Borisjuk…

Ja çfarë shkruan Lukas Kot në letrën e tij:

“I nderuar Majkëll Babatunde,

Si fillim më vjen keq për gabimet e mia gramatikore, por po përpiqem të mësoj anglisht. Do të provoj të bëj më të mirën. Quhem Lukas Kot dhe jetoj në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë.

Jam thjesht një 29-vjeçar i zakonshëm, që punoj në një lavazh për të paktën 11 orë në ditë, jetoj në një dhomë me qira dhe ngas një Opel të lirë e të vjetër. Është vetëm një gjë në jetën time që më ben të buzëqesh; Futbolli.

Një sport i thjeshtë, por brenda 90 minutash unë mund të harroj botën, mund të harroj të gjitha problemet. Futbolli siguron socializimin, futbolli është mënyra për të mësuar disiplinën, besnikërinë. Futbolli është gjithashtu hobi im, veçanërisht mbledhja e autografeve nga heronjtë e mi.

E bëj këtë gjë prej vitit 2009. Deri tani kam mbledhur më shumë se 5000 autografë. Nëse më jepet mundësia po provoj t’i mbledh personalisht disa autografë. Disa herë edhe udhëtoj për të mbledhur autografë deri në skajin tjetër të vendit tim.

Një ditë mendova se mund të komunikoj me lojtarë legjendarë, ashtu si ju, përmes letrës. I vlerësoj sinqerisht arritjet tuaja përgjatë karrierës suaj futbollistike. Mendoj që përfaqësimi i shtetit në kompeticione ndërkombëtare është suksesi më i madh i një futbollisti apo sportisti. Për mendimin tim nuk ka asnjë shpërblim më të madh për gjithë këto vite pune të lodhshme.

Do të ishte kënaqësi për mua të kisha nënshkrimin e një lojtari kaq fantastik. Nëse nuk është problem, ju kërkoj të nënshkruani fotot e mia dhe të m’i dërgoni sërish. Do isha shumë i lumtur nëse m’i nënshkruani personalisht “Për Lukasin”. Edhe një foto e vetme me dedikim do të më bënte vërtetë të lumtur e mirënjohës. Sigurisht që kam shtuar dhe zarfin e adresuar vetë.

Në fund të letrës sime dëshiroj t’ju uroj gjithë të mirat, shëndet, këmbëngulje në këto kohë të vështira dhe shumë arsye për të buzëqeshur.

Faleminderit për kohën që shpenzuat për mua. Shpresoj që letra dhe kërkesa ime të mos jetë një problem i madh për ju. Faleminderit paraprakisht për përgjigjen pozitive. Po pres me padurim dhe me shpresë për të.

Urimet më të mira,
Lukas”/Përgatiti: Sara Gjidiaj-Sportiim.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!