Bushi: Kemi miksuar grupin, ndaj Çekisë pres…

Shqipëria U-21 do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen kualifikuese ndaj Republikës Çeke, e vlefshme për Kampionatin Europian 2023.

Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, trajneri i skuadrës U-21, Alban Bushi ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur në lidhje me gjendjen e skuadrës dhe synimet e ekipit për këtë ndeshje.

Tekniku kuqezi shprehet i kënaqur dhe i mbushur me optimizëm nga i gjithë grupi. “Në përgjithësi jemi shumë mirë. Jam shumë i kënaqur nga i gjithë grupi, fizikisht janë shumë mirë, pavarësisht mungësave që kanë ikur në ekipin e parë që na i kanë prishur pak ekuilibrat, por jemi munduar që ta miksojmë pak grupin edhe për ditëlindjet për sezonin tjetër 2002, 2003, 2004. Në përgjithësi skuadra është mirë, sidomos ditën e djeshme ka qenë një stërvitje shumë e mirë dhe më kanë bërë shumë optimist” – shprehet Bushi.

Më tej, Alban Bushi thotë se objektivi kryesor i skuadrës U-21 është furnizimi i Kombëtares A me lojtarë të rinj, që është një objektiv i realizuar, por kjo nuk i shërben ekipit U-21 në ndeshjet e tyre. – U bëra disa vite në drejtimin e skuadrës U-21 dhe kemi pasur probleme gjithmonë. Ne jemi një vend i vogël dhe objektivat nuk janë madhor për U-21. Pra, objektivi ynë është personal, lojtarët duan të kualifikohen në Europian, por si objektiv madhor ne kemi ekipin A.

Kemi çuar shumë lojtarë në ekipin A si asnjëherë më parë, Shqipëria ka 80% të ekipit me lojtarë që i kanë ardhur nga moshat. Dhe për këtë arsye jemi shumë të gëzuar dhe të lumtur, si Federatë, si Drejtori Teknike sepse është bërë një punë shumë e mirë te moshat, por gjithsesi na prish edhe neve pak ekuilibrat sepse 2-3 lojtarë të mirë, po të lëvizin nga U-21 bëjnë diferencën dhe kur përballesh më pas me ekipe të forta dhe me cilësi duhet të marrësh edhe rezultat. Kjo na i ka prishur pak objektivat që kishim, por gjithsesi jemi të lumtur sepse po shkojmë mirë.

Mision i plotësuar nëse lëmë poshtë, Andorrën, Kosovën dhe Slloveninë? – Unë mendoj që rezultat pozitiv quhet kur ti kualifikohesh, sepse u bë kaq vite që ne luajmë dhe për pak nuk jemi kualifikuar, pavarësisht se kanë qenë ekipe shumë të forta. Unë dëshiroj shumë të kualifikohemi. Kemi qenë shumë afër kualifikimit këtë vit, por duke pare që ekipi A merr shumë lojtarë te ne, kjo na ka penalizuar, për ta thënë shumë hapur, sepse ne kishim dy ndeshjet e fundit ku jemi mundur si në Slloveni dhe në Kosovë. Nëse ne do të kishim Brojën dhe Kumbullën, ata janë lojtarë shumë deçizivë dhe për ekipin A, jo më për U-21.

Ne do i kishim fituar dy ndeshjet dhe sot do të ishim me 15 pikë dhe Çekia me 13, por objektivi madhor I FSHF-së ka qenë ekipi Kombëtar A. Do të vijë një ditë shumë shpejt, që pasi të mbushet ekipi A, siç është mbushur me lojtarë të rinj, shpresojmë që sezonin tjetër të fokusohemi vetëm te lojtarët e mirë dhe ekipi A të mos na marrë më lojtarë, që edhe ne të kualifikohemi sepse është gjë e mirë për Shqipërinë. Është e mirë edhe për Federatën sepse sjell të ardhura. Kështu që duhet fillimisht të marrim një vendim madhor që ekipin U-21 ta çojmë në kampionatin europiane sepse i kemi të gjitha cilësitë.

Vetëm sot në ekipin Kombëtar janë Asllani dhe Bajrami, të cilët e kanë moshën jo për këtë sezon, por për sezonin tjetër për të luajtur me U-21, por ata kanë ikur që tani në ekipin e parë. Kjo na bën të gëzuar e të lumutur, e thash dhe më parë, por gjithsesi ne shpresojmë që një vit ne të kualifikohemi me ekipin U-21 – përfundon Bushi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!