Jurgen Çelhaka: Të fitojmë ndeshjen e parë…

Shqipëria U-21 do të përballet ditën e premte me Republikën Çeke, sfida e parë kualifikuese e vlefshme për Kampionatin Europian 2023 që kuqezinjtë do të zhvillojnë stadiumin “Elbasan Arena” përgjatë këtij muaji, teksa më 29 mars do të përballen me Anglinë.

Në kuadër të këtyre dy ndeshjeve, skuadra e Alban Bushit është grumbulluar që prej ditës së hënë në Durrës, ndërsa po stërvitet intensivisht për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze përballë këtyre dy kundërshtarëve jo të lehtë.

Jurgen Çelhaka në një prononcim për fshf.org vlerëson këtë grup të kuqezinjve, teksa shprehet se do të japë maksimumin e tij.

Çelhaka, i cili po kthehet në një titullar të padiskutueshëm te Legia në Poloni shprehet i lumtur për rikthimin me Kombëtaren si dhe për harmoninë që gëzon grupi. Kundrejt Çekisë, Çelhaka dëshiron një hakmarrje, ndërsa flet edhe për ecurinë me klubin polak.

Çelhaka:

Rikthimi me Kombëtaren – Të rikthehesh me Kombëtaren është gjithnjë një ndjenjë e bukur. Shpresoj të mos kemi dëmtime gjatë kësaj kohe. Kemi dy kundërshtarë shumë të vështirë përballë. Të marrim maksimumin në ndeshjen e parë dhe pastaj do të mendojmë për ndeshjen e dytë.

Si e sheh grupin – Disa lojtarë kanë shkuar te Kombëtarja A, por kanë ardhur edhe prurje të reja dhe lojtarët që kanë qenë të dëmtuar. Mendoj se jemi një grup i mirë, kemi edhe lojtarë individualisht shumë të mirë. Kemi harmoni brenda ekipit. Me punë besoj se do marrim diçka të mirë në këto dy ndeshje.

Hakmarrje ndaj Çekisë? – Mund të jetë një hakmarrje sepse kemi bërë një paraqitje jo shumë të mirë aty. Jemi mundur me një rezultat të thellë dhe çdokush nga ne që ka qenë aty do që të hakmerret për atë humbje, në mënyrë sportive gjithmonë.

Legia? – Për mua është e rëndësishme që të marr minuta gjithmonë. Atje po më shkon gjithçka mirë. Fillimi ishte pak i vështirë, por tani po futem në formacion, dhe kjo është diçka e mirë jo vetëm për mua, por edhe për ekipin U-21, sepse vij me minuta nën këmbë dhe është diçka akoma edhe më e mirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!