Indrit Tuci: Kërkojmë vendin e dytë

Shqipëria U-21 do të përballet ditën e premte me Republikën Çeke, sfida e parë kualifikuese e vlefshme për Kampionatin Europian 2023 që kuqezinjtë do të zhvillojnë stadiumin “Elbasan Arena” përgjatë këtij muaji, teksa më 29 mars do të përballen me Anglinë.

Në kuadër të këtyre dy ndeshjeve, skuadra e Alban Bushit është grumbulluar që prej ditës së hënë në Durrës, ndërsa po stërvitet intensivisht për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze përballë këtyre dy kundërshtarëve jo të lehtë.

Sulmuesi i Lokomotiva Zagreb Indrit Tuci, në një prononcim për fshf.org vlerëson grupin dhe premton maksimumin. Tuci rikthehet në Kombëtare pas një kohe të gjatë, për shkak të një dëmtimi që e mbajti larg nga kuqezinjtë. Sulmuesi shqiptar duket në një formë të mirë, teksa ka arritur të bëhet edhe protagonist me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci.

Tucit nuk i mungon besimi te grupi kuqezi për të dalë më pikë nga këto dy ndeshje, teksa bën një thirrje edhe për të gjithë tifozët për t’i mbështetur në stadium.

Tuci:

Forma e Tucit? – Fizikisht ndihem shumë mirë, me ekipin po punojmë shumë mirë me trajnerin. Besoj se jemi në një gjendje të mirë dhe gati për ndeshje. Po vij te forma ime më e mirë pas një dëmtimi të gjatë dhe po e marr veten.

Si duket grupi i kuqezinjve? – Kam shumë besim tek ekipi ynë, shoh edhe fytyra të reja që nuk i kam parë te grumbullimet e kaluara. Çunat duken mjaft mirë dhe besoj që do bëjmë dy ndeshje mjaft të mira.

Synimet e skuadrës – Ne po luftojmë për vendin e dytë, vendin e parë. Besoj që në ndeshjet e ardhshme do të nisim të hakmerremi nga ai rezultat i thellë që u mundëm në Çeki. Besoj që do ia dalim me sukses.

Thirrje për tifozët – Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne, besoj që do vijnë në stadium dhe do të na mbështesin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!