Duka uron Ademin për Pavarësinë


Armand Duka i cili përgjatë gjithë axhendës së tij në UEFA dhe FIFA ka lobuar me forcë për futbollin dhe shtetin Kosovar, ka përcjellë urimet në emër të komunitetit të futbollit shqiptar.

14 vjetori i Pavarësisë së Kosovës e ka kthyer 17 shkurtin një festë të madhe mes shqiptarësh. Natyrshëm bota e sportit në dy kahet e kombit i ka paraprirë politikave ndërsa shpesh ka dhënë mesazhe të forta vëllazërie. Në aspektin instuticional, futbolli me dy federatat ka shfaqur marëdhënje të shkëlqyera.

Ndërkohë në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës nuk ka munguar një urim special i Presidentit të FSHF-së Armand Duka drejt homologut të tij te FFK Agim Ademi.

FSHF në një material të shoqëruar me letrën e Dukës shkruan:

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i ka dërguar ditën e sotme një letër urimi Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë letër, kreu i futbollit shqiptar i shpreh Presidentit të FFK-së, urimet më vëllazërore në emër të të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar, teksa thekson se ndihet i lumtur për progresin e Kosovës si shtet përgjatë këtyre 14 viteve në të gjitha fushat, e kryesisht në futboll.

Duka uron që ky progres të vijojë me të njëjtat ritme dhe Kosova të konsolidohet si shtet në arenën ndërkombëtare, ndërsa vlerëson marrëdhënien e shkëlqyer mes dy Federatave.

Më poshtë, edhe letra e plotë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka

I nderuar President, I dashur Agim,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në këtë përvjetor të 14-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë anëtarëve të familjes së futbollit shqiptar, urimet më vëllazërore për këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët!

Ndihem mirë teksa shoh që në këto 14 vite si shtet i pavarur e sovran, Kosova vazhdon të bëjë progres të jashtëzakonshëm, duke qenë prej 6 vitesh edhe një anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA.

Dëshiroj shumë që ky progres të vijojë me të njëjtat ritme dhe Kosova të konsolidohet si shtet në arenën ndërkombëtare edhe me njohje të reja, duke pasur edhe një mbështetje të madhe nga Federata e Futbollit të Kosovës, që përmes futbollit është një ambasadore e shkëlqyer.

Marrëdhëniet tona të shkëlqyera mes dy federatave na motivojnë që të punojmë gjithmonë e më shumë në rritjen e futbollit mbarëkombëtar, krijimin dhe finalizimin e projekteve tona të përbashkëta. Me urimet më të mira për ju, anëtarët tuaj dhe gjithë Kosovën, ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Miqësisht, Armand Duka! President i Federatës Shqiptare të Futbollit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!