Reja: Do ta sulmojmë Poloninë

Shqipëria në seancë prëgatitore në Tropikal duke nisur nga ora 14:00. Vemendje maksimale për çdo detaj që lidhet me kuqezinjtë të cilët nesër në 20:45 do të presin Poloninë në një ambient të gjithin kuqezi.

Raportohet se në ‘Air Albania Stadium’ do të jenë 22 000 mbështetës të Shqipërisë. Por tej asaj që pritet të ngjasë me supersfidën e Grupit I, paraprakisht Reja dha shpjegime të detajuara në Konferencën para mediave. Bashkë me kapitenin Berisha.

Fjala e trajnerit Edoardo Reja:

“Përqëndrimi i skuadrës duhet të jetë shumë i lartë në këtë ndeshje dhe të mos bëjmë asnjë gabim. Ideja jonë ka qenë të krijonim një skuadër që imponon lojën e saj ndaj kundërshtarit, duke mos u mbrojtur siç mund të bërë Shqipëria në të kaluarën, por duke e nisur aspektin mbrojtës që nga faza sulmuese. E kam thënë shpesh që sulmuesit janë mbrojtësit tanë të parë dhe e kemi treguar këtë, kemi bërë vazhdimisht presing për 90 minuta dhe kemi bërë paraqitje shumë të mira duke marrë dhe rezultate. Kjo është ADN e kësaj skuadre. Kemi të njëjtin stil loje prej shumë kohësh tashmë dhe rezultatet na japin të drejtë. Për sa i përket ndeshjes me Poloninë, nuk ka shumë për të thënë, ka lojtarë shumë të rëndësishëm dhe cilësorë që luajnë edhe në klubet më të mëdha të Europës dhe është një nga kundërshtarët me niveli më të lartë që ne kemi pasur përballë në këtë periudhë. Dua të them për skuadrën time, që tashmë jemi një ekip i vërtetë dhe të gjithë lojtarët që kemi grumbulluar kanë luajtur vazhdimisht dhe kanë kontribuar në këto eliminatore. Edhe kur kemi pasur mungesa, prapë ato që i kanë zëvendësuar kanë luajtur shumë mirë. Edhe për ndeshjen e nesërme, siç e thashë, duhet të përqëndrohemi dhe të mos bëjmë gabime, por të jemi të saktë.

A besoj te vendi i dytë? – Kur u hodh shorti sigurisht që mendova, duke pasur në grup Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë, që janë rivalë të vështirë, mendova që do ishte shumë e vështirë, por ja ku jemi këtu tani dhe nuk është aspak rastësi. Jemi rritur shumë dhe jemi një skuadër që mund të kemi objektiva të rëndësishëm, por duhet të theksoj se lojtarët kanë punuar shumë mirë dhe rezultatet kanë ardhur për këtë aspekt. Jemi këtu dhe jemi gati të konkurrojmë dhe të përballemi me të gjithë kundërshtarët deri në fund dhe duhet t’i bëj komplimente ekipit tim dhe lojtarëve që kanë bërë paraqitje shumë të mira dhe ndeshje e rezultate shumë të mira. Duke qenë një grup i vështirë, në fillim mendova që nuk do të shkonim larg, por asgjë nga këto nuk është rastësi, as vendi i dytë. Është me meritë dhe nga fakti që kemi luajtur shumë mirë dhe kemi arritur të marrim rezultate shumë të mira me këtë skuadër që mendoj se mund të shkojë larg dhe mund të përballet me çdokënd.

Shqipëria në Botëror? – Duhet të kesh personalitet mbi të gjitha në ndeshje të tilla. Ne jemi të bindur që mund të ëndërrojmë deri në fund. Një gjë që më vjen në mend kur bëhet kjo pyetje është frika për mos t’ia dalë. Ky është problemi që kemi në këtë moment që flasim. Ne luajmë në shtëpi dhe nuk kemi asgjë për të humbur. E rëndësishme për lojtarët është që të jenë sa më të qetë dhe të jenë të bindur që mund të arrijmë të marrim një rezultat të mirë. Por sigurisht, në ndeshje të tilla, edhe fati është shumë i rëndësishëm. Mund të jetë vendimtar. Marrim rastin e ndeshjes me Poloninë, ku luajtëm mirë dhe nuk na u dha një penallti, gjë që mund të kishte ndryshuar ndeshjen në atë moment, sepse ekipi po rritej vazhdimisht gjatë minutave dhe nuk kishte mbaruar asgjë. Sigurisht që episodet vendosin në një ndeshje dhe shpresoj që mos ta kemi kundër këtë herë. Kemi punuar shumë dhe jemi përgatitur që të bëjmë sa më pak gabime dhe duam të ëndërrojmë pasi jemi të bindur që mund edhe t’ia dalim kësaj ëndrre.

“Sigurisht duhet të kemi iniciativën tonë që të marrim rezultat, pasi nëse ne nuk kemi iniciativë që të kontrollojmë lojën, është e pamundur që të marrësh rezultatin. Ne kemi një stil loje tonin që e kemi përdorur thuajse në të gjitha ndeshjet tona të fundit dhe nuk është se mund të ndryshojë. Gjithsesi varet edhe nga rivali që ke përballë dhe nga karakteristikat që ka një skuadër. Për mua është shumë e rëndësishme që ekipi të bëjë një lojë të mirë, por edhe të mos rrijë në mbrojtje, por të marrë iniciativën dhe të sulmojë, të tentojë të mbajë kontrollin e lojës. Sigurisht ata janë shumë të aftë, ne e provuam edhe me Anglinë një gjë të tillë, por nuk ia dolëm dot. Duhet të bëjmë ndeshjen tonë dhe të mos ndihemi në presion dhe të marrim sa më shumë iniciativa.

Broja titullar? – Ende nuk e kam vendosur. Duhet të kemi parasysh që unë e kam aktivizuar Brojën në ndeshjet e kaluara, ka ndodhur që vjet në Kazakistan. E kemi parë si titullar dhe kemi parë që rendimenti i tij nuk ka qenë njësoj siç ka qenë kur ai futet në fushë gjatë lojës. Kam shfrytëzuar faktin që kundërshtarët kanë qenë të lodhur dhe e kam parë këtë gjë dhe kam menduar të hedh Brojën në fushë pasi ai është një lojtar që bën diferencën, pasi ai është shumë i fortë fizikisht dhe për më tepër bën gola që është edhe gjëja më e rëndësishme në gjithë këtë mes. Por varet gjithmonë nga karakteri individual, nuk e kam vendosur ende nëse do të luajë nga fillimi, pasi nuk e di si do të reagojë. Pra mund të na vlejë më shumë si titullar apo duke u futur gjatë lojës. E kam menduar, por është ende për t’u vlerësuar si opsion. Po ta dija që bën gol, unë mund ta hidhja në fushë vetëm në 3 minutat e fundit në Poloni dhe mund të kishim zgjidhur problemet tona. Por këtë nuk e dimë.

“I kemi dhënë një ënndërr shqiptarëve dhe është diçka shumë e bukur dhe pse mos të besojmë deri në fund. Jemi këtu, sepse e kemi merituar, do të luajmë deri në fund shanset tona dhe jemi të gatshëm të japim gjithçka për të arritur në play-off. Në ndeshjen nesër ne kemi edhe mungesa të rëndësishme, por siç e keni parë, unë nuk ankohem kurrë sepse kemi krijuar një ekip shumë të mirë lojtarësh aktualisht dhe këtë e kemi treguar edhe me rezultate, ku të gjithë kontribuojnë dhe ato që janë thirrur në momente të caktuara, kanë ndihmuar dhe na kanë zgjidhur jo pak herë problemet. Uroj që nesër ndaj Polonisë të bëjmë një ndeshje shumë të mirë dhe të tregojmë edhe njëherë në fushë faktin që jemi rritur çdo ndeshje dhe këtë e kemi treguar jo vetëm në ndeshjet e shtatorit apo tetorit por edhe ndaj Uellsit dhe Çekisë , ku ne kemi luajtur shumë mirë dhe kemi treguar vlera. Ndeshja nesër merr vlerë edhe më të madhe, pasi na lejon të shkojmë në play-off. Ka shumë mundësi të na lejojë të shkojmë aty dhe ne ëndërrojmë deri në fund.

Ndeshje all-in nesër? – Duhet të jemi gjithmonë pozitivë dhe me qëllimin për të fituar ndeshjen. Sigurisht që edhe në ndeshjen ndaj Hungarisë, në 10-15 minutat e fundit, unë nuk po përpiqesha të ruaja barazimin aspak, edhe për zëvendësimet që bëra, doja me çdo kusht fitoren dhe sigurisht ndeshja nesër duhet fituar. Në Hungari na shkoi mirë sepse ndodhi dhe ai gol aq i bukur. Duhet besim, nuk bëj zëvendësime për t’u mbrojtur por duhet dhe mentaliteti i duhur i lojtarëve. Janë ata që e luajnë lojën në fushë, jo unë. Aftësia jonë është që të shfrytëzojmë të gjithë karakteristikat e lojtarëve dhe t’i marrim maksimumin atyre.

Sigurisht që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, por nuk është definitive, finale, që vlen play-off. Nuk kam vendosur ende për formacionin, ashtu siç bëj gjithmonë. Ka disa lojtarë që mund të kenë pasur edhe probleme të vogla fizike, pas ndeshjes me Hungarinë dhe duhet t’i shoh sot në stërvitjen e pasdites dhe të bëj vlerësimet e mia për gjendjen e tyre. Të luash çdo 3 ditë është shumë e vështirë, por ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë fakt. Duhet të bëj shumë vlerësime, qoftë edhe në aspektin karakterial. Për shembull, kur luaja vetë futboll, kisha dëshirë të luaja gjithmonë ndeshje të tilla dhe të gjithë duan të luajnë ndeshje të kësaj rëndësie, por duhet të shohim edhe këto përgatitjet e fundit. Për 11-shen kam dyshimet e mia, por kur zbresim në fushë, kjo varet edhe nga Polonia dhe kjo është pjesa ime, që të mësoj ekipin dhe të jap sa më shumë informacione, për mënyrën se si do të luajnë në fushë dhe për mënyrën se si ato do ta interpretojnë ndeshjen. Gjithsesi thashë, asgjë nuk ka mbaruar dhe kemi edhe dy ndeshje të tjera.

Levandovsi dhe çfarë pres nga Sousa? – Sigurisht do të presim në Poloni agresive. E njoh shumë mirë trajnerin Sousa dhe jam i bindur që ato do ta nisin ndeshjen menjëherë në sulm. Polonia ka lojtarë shumë të aftë dhe kualitativë që ta nisin ndeshjen duke sulmuar, sepse ata e dinë që kjo ndeshje ka një rëndësi shumë të madhe dhe duan play-offin dhe do të jetë një ndeshje e nivelit shumë të lartë. Sa i përket Levandovskit, është një lojtar që nuk mund të markohet dhe duhet të bëjmë të mundur që të gjithë lojtarët e mbrojtjes apo mesfushës të mbyllin hapësirat dhe të mos i japin mundësi që të marrë topa. Ai është një nga lojtarët më të mirë aktualisht jo thjesht në Europë, por edhe në botë.(FSHF)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!