Duka letër Ramës: Lejo të vaksinuarit ndaj Anglisë

28 marsi rikthen në Shqipëri Anglinë e madhe të futbollit ndërkontinental. Për një ndeshje të rëndësishme futbolli shqiptaro-angleze e cila vlen për kualifikueset e ‘Katar 2022’.

UEFA ka lejuar që 30% të impianteve të mbushën me tifozë. Gjithnjë nëse qeveritë e secilit vend, parë situatën pandemike e lejojnë. Te ne, Ministria e Shëndetësisë i tha Jo kërkesës së FSHF. Sot presidenti Armand Duka i drejtojet me një ‘letër të hapur’ kryeministrit Edi Rama.

Postimi i Dukës:

Uroj të kem vëmendjen tuaj të plotë, në prag të një përballjeje historike dhe të shumëpritur me Anglinë, që rikthehet në Shqipëri pas plot dy dekadash. Një përballje që prej javësh na ka vendosur në qendër të vëmendjes së mediave më të mëdha botërore, ku imazhi i futbollit tonë pasqyrohet me nota shumë pozitive dhe shikohet në rritje të vazhdueshme. Po ju drejtohem ju, sepse ne i kemi konsumuar të gjithë shkallët e procesit burokratik duke i shkruar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, nga të cilët kemi marrë përgjigje refuzuese për praninë e një numri të reduktuar të tifozëve në stadium, siҫ e lejon dhe qeveria europiane e futbollit, UEFA.

I nderuar z. Kryeministër!

Duke parë që në vendin tonë shumë biznese me grumbullime masive njerëzish vazhdojnë aktivitetin normalisht, do të shpresoja shumë që ju të ndihmonit ekipin Kombëtar shqiptar dhe tifozët tanë të zjarrtë për të qenë të pranishëm në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Botërorit Katar 2022. Ne kemi një stadium modern, me standartet më të larta botërore, që na lejon të kemi minimalisht 30% të tifozëve në stadium, duke mundësuar shmangien e ҫdo rreziku nga virusi Covid-19. Nëse kjo prani e limituar tifozësh shikohet ende si një problem nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, atëherë do ju propozoja që të lejohen në stadium të gjithë personat që janë vaksinuar dhe kanë përfituar nga procesi i vaksinimit masiv që ju si Qeveri po zhvilloni në mbarë trojet shqiptare. Duke marrë parasysh faktin se Komiteti Teknik i Ekspertëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendosi që grumbullimi i më shumë se 10 personave pas 25 marsit është i lejuar, jam besimplotë që ju do ta merrni në konsideratë këtë kërkesë në të mirë të futbollit shqiptar dhe dashurisë që kanë tifozët tanë për fanellën kuqezi. Sinqerisht, Armand Duka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!