Kosovë/ Superkupa në Antalia
Koinçidenca: 1/8 e Kupës së Kosovës, Prishtina- Drita në 10 shkurt në ‘Fadil Vokrri’ ndërsa më herët dueli për trofeun e Superkupës në 23 janar në Turqi.
Superkupa e Kosovës do të zhvillohet në 23 janar në Turqi. Ky është vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, ndërsa sot ka vendosur që të dy klubet Drita dhe Prishtina, të përballen në Antalia ku me gjasë do jenë në fazë përgatitore.
Njoftimi i FFK-së:
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti sot mbledhjen e parë për vitin 2021, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës.
KE diskutoi rreth përgatitjeve për fillimin e stinorit pranveror të garave, me konstatimin se përgatitjet e të gjitha organeve të FFK-së po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Po ashtu, edhe klubet i kanë filluar përgatitjet e tyre në të gjitha segmentet, ku shihet një interesim i madh i tyre për prurjet e reja në skuadra.
KE edhe një herë diskutoi për sistemin e garave në Ligën e Dytë dhe Ligën e Tretë, me ç’rast vendosi që edhe në edicionin e ardhshëm Liga e Dytë të ketë 16 skuadra, e ku dy skuadra do të vijnë nga Liga e Tretë (me ç’rast kampionët e grupeve luajnë lojë barazhi, ku fituesit e tyre inkuadrohen në Ligën e Dytë), derisa nga liga largohen dy skuadrat e fundit në renditje.
KE diskutoi edhe rreth riformatimit të sektorëve në FFK me qëllim të ngritjes së profesionalizimit dhe efikasitet në punë në administratën e FFK-së.
Po ashtu, KE diskutoi edhe rreth zhvillimit të ndeshjes së Superkupës, ndërmjet kampiones në fuqi Dritës dhe fitueses së Kupës, Prishtinës, e cila ndeshje zakonisht i paraprinë fillimit të edicionit të ri, por për shkaqe të pandemisë COVID-19 dhe orarit të ngjeshur të garave nuk kishte arritur të zhvillohej, andaj me pëlqimin e të dyja klubeve u vendos që kjo ndeshje të zhvillohet në Antalia më 23 janar, duke pasur parasysh se në këtë periudhë kohore të dy klubet gjenden në përgatitje në Turqi.