Ekskluzive/ Laska: Me Keshlën luajmë për kualifikim

Kreu i klubit: “Alen Sherri ka firmosur për dy vite me kurbinasit”

Njëra nga skuadrat e suksesshme në Kategorinë Superiore, Laçi i Kurbinit, u shortua dje në Nion të Zvicrës, për herë të shtatë në kompeticionet e Europa League.

Sporti im.al‘, pasi pasqyroi në kohë reale shortin për skuadrat shqiptare, i mori sot një intervistë presidentit bardhezi, Pashk Laska. Fakti që kurbinasit ndeshen për herë të dytë me azerët e Keshlës, merr vemendje pasi skuadra e teknikut Armando Cungu asokohe (2015) me Inter Baku, sot Keshla, u eliminua fare rastësisht me një gol fushe.

Sot Laska, nga bregu i detit teksa po pushon disa ditë me familjen, iu përgjigj me disa të reja interesimit të ‘Sporti im.al’.

Z. Laska, e ndoqët shortin e skuadrës tuaj dje?

Po e ndoqa, por vetëm përmes aplikacioneve në telefon, pasi jam për disa ditë pushime në breg të Adriatikut. Paralelisht më informuan edhe vartësit e klubit.

Dhe si ju duk Keshla përpos largësisë deri në Baku?

Është skuadër, me të cilën kemi luajtur para 5 viteve me dy takime. E thënë ndryshe, Keshla aktuale është Inter Baku i kohës kur ne barazuam, në Laç 1-1 dhe në Baku 0-0. Ai tur më ka mbetur peng, pasi e dominuam totalisht kundërshatrin. Patëm tre-katër raste goli në pjesën e parë dhe goditëm shtyllën në fund të takimit me Nimanin. Në kthim, pjesën e dytë kemi luajtur 45 minuta në portën kundërshtare. I pranueshëm si rival në Europë.

E konsideroni skuadër të lehtë, apo do luani për kualifikim përmes “hakmarrjes”?

Jo, Jo. S’ka lidhje ajo skuadër me këtë aktualen. Di që kampionati azer është i ndaluar dhe kundërshtari sikurse ne, ka zënë vendin e tretë në kampionat. “Hakmarrje” jo, por Laçi do të luajë për kualifikim.

Z. president, keni larguar disa futbollistë, ndërsa keni afruar vetëm Sherrin dhe atë me ‘sherr’. Do ta pasuroni organikën?

Dolët në një temë, që do doja ta sqaroja. E kam fjalën për portierin Sherri. Kam ndjekur disa reagime, lidhur me ketë situatë, por një gjë di të them: Kurrë Pashk Laska nuk i shkel jo vetëm rregullat administrativë me klube të tjerë, por as në aspektin njerëzor nuk futet në punët e të tjerëve. Vllazninë e respektoj maksimalisht, si një klub me traditë dhe fqinj, por lidhur me portierin kam pritur derisa sa futbollisti të përfundonte kontratën. Së bashku me drejtorin tim, i kemi kërkuar pavarësinë nga ish-klubi. Vetë Sherri në të drejtën e tij, bëri zgjidhjen, duke nënshkruar për ne për dy vite.

Dhe afrime të tjera?

Në fakt jemi në bisedime me disa, por për ju kam tre emra që po i bëj publike. I pari, Dijar Nikqi, 15-16 vjeç, një supertalent që vjen nga Kosova. I dyti quhet Endi Murati dhe vjen nga akademia Internacional Tirana, ndërsa i treti vjen nga Devolli dhe quhet Klejdi Rapo. Jam pak keq me emrat, por këto i mbaj mend, pasi falë strategjisë së klubit tonë, kërkojmë të ecim me projekte afatgjatë.

Një mesfushor tjetër nuk do vijë? Po Nuabueze, çdo bëhet me të?

Hëm. Jemi në tratativa, por nëse negociatat kanë në mes një ‘kleçkë’ deri sa të zgjidhet nuk i bëjmë publike. Nuabueze ka dhe një vit kontratë me Laçin. Vetëm ndonjë ofetrtë e parezistueshme do na bëjë të mendohemi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!