Alen Sherri sqaron largimin

Në një postim në ‘Facebook’ portieri i ri Lacit, Alen Sherri, shtyrë nga postime dhe komente gjithëfarësh në dy ditë, ka shkruar se Vllazninë e ka patur dhe e ka në zemër.

Portieri shkodran, thotë se në momente të caktuara nuk është ndier i vlerësuar dhe ne fund të kontratës, ka vendosur të largohet nga Vllaznia në drejtim të Laçit.

Ka fjalë të mira për drejtuesit e kryesisht për mbështetësit e kuqebluve, tifozët. Në fund shprehet i sinqertë, kur thotë: “Shpresoj që rrugët tona të takohen një ditë”.

Postimi:

Duke marrë shkas nga shkrimet e ndryshme që po lexoj, e ndjej edhe unë të nevojshme të sqaroj opinionin publik rreth situatës time. Më vjen keq që disa gjëra keqinterpretohen në media edhe realisht shumë pak njerëz i dinë të vërtetat.

Është e vërtetë që presidenca e re me ka kontaktuar, mbasi unë kam kërkuar t’i takoj, sepse s’kam dashur asnjëherë të iki tinxash nga qyteti jem. Për këtë falënderoj kryetaren e bashkisë znj. Voltana Ademi, z. Astrit Gjyrezi, z. Alban Xhaferi dhe drejtorin e ri sportiv z. Matko Djarmati, dhe shumë të tjerë, të cilët pavarësisht shumë gjërave, kanë mbeshtetur qëndrimin tim në ekip.

Për disa njerëz të tjere kam rezervat e mia. Kontrata jeme me Vllazninë ka qenë gjithmonë më shumë shpirtërore sesa financiare, prandaj unë s’e kam shikuar kurrë këtë pjesë si kryesore. Duke parë mënyrën se si ndodhen gjërat sezonin e kaluar dhe në fund që nuk m’u besua të jem në fushë në ndeshjen më domethënëse të sezonit, e pashë të rëndësishme të rishikoja edhe pozicionin tim në klub.

Kam pranuar të jem pjesë e Vllaznisë në të mirë e në të keq edhe ka qenë një andërr e realizueme e fëmijërisë teme me e veshë atë fanellë të rëndë. Ata që më njohin e dinë shumë mirë domethënien e emrit Vllaznia tek unë.

Largohem duke e ditur se për çdo sekondë kam dhënë maksimumin për ata ngjyra edhe për tifozat kuqeblu, edhe i kërkoj falje për çdo herë që mund t’i kemi zhgënjye, sepse Vllaznia nuk është aty ku e meriton.

Largohem për ti lënë ata të bëjnë punën që ndoshta unë nuk dita ta bëj mirë. Shpresoj edhe uroj që gjërat të ndryshojnë për mirë në vazhdimësi, pasi Vllaznia është e madhe, Vllaznia ka qenë, është edhe do të mbetet gjithmonë Vllazni, edhe bën pa mua, pa tjetrin e pa tjetrin. Shpresoj që ti kuptoni arsyet e zgjedhjes time, shpresoj që rrugët tona të takohen prapë një ditë“,shkruan në Facebook, Alen Sherri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!