Legjenda turke te Lilë, zëvendëson Osimhen

“Në Turqi është një legjendë”. Kështu e prezantoi në faqen e saj zyrtare skuadra franceze e Lilës blerjen e saj më të re, Burak Yillmaz.
Sulmuesi turk do të zëvendësojë nigerianin Osimhen, i cili u largua për te Napoli, për një shifër që do të arrijë në 100 milionë eurove.
“Klubi ynë është shumë krenar,- kanë deklaruar drejtuesit francezë,- Yillmaz ka një profil të vërtetë numër 9 dhe është veçanërisht i aftë në zonën e penalltisë. Ai është një lojtar me përvojë, një luftëtar i vërtetë, që do të tregojë të gjithë talentin e tij në Ligue 1”.
Yillmaz, autor i 205 golave në kampionatin turk, ka veshur ngjyrat e klubeve më të mëdha në vendin e tij (Gallatasaraj, Fenerbahçe, Beshiktash dhe Trabzonspor).
Edhe pse 35 vjeç, sulmuesi turk mbetet po aq i efektshëm sa në rininë e tij: ai ka shënuar 13 herë (dhe 7 asistime, në 25 ndeshje) në Super Lig turke në sezonin e kaluar me Beshiktashin, ku Yillmaz ishte edhe kapiteni i skuadrës.
