Shehi: Ndaj Skënderbeut kërkojmë fitoren, duam finalen e 26 majit

Paritzani- Skënderbeu nesër ora 20:00 në ‘Air Albania Stadium’, hap ndeshjet gjysmëfinale të ‘Final Four’, absolutisht risia e madhe e këtij edicioni për të nxjerrë ekipin kampion por jo vetëm.

Para këtij ballfaqimi trajneri i Partizanit Orges Shehi foli para mediave duke theksuar se respekton rivalin por objektivi i skuadrës së tij mbetet për të shkuar në finale të titullit kampion.

Shehi:

Gjendja ekipit një ditë përpara takimit ndaj Skënderbeut?

“Pas 36 javësh jemi munduar të freskonim pak skuadrën me disa minuta më pak në ndeshjen e fundit që në këtë periudhë të riaftësojmë dhe afrojmë me grupin Taipin e Carën që i janë bashkëngjitur pjesës tjetër të skuadrës. Skuadra është e plotë dhe e përqendruar për takimin e nesërm.

Kemi edhe një seancë të fundit stërvitore sot dhe aty do të vendosim përfundimisht se kush do ta nisë nga fillimi e kush jo. Pas seancës së sotme do e vendosim, edhe pse e kemi një ide. Pas saj do të vendoset 100%.

Si e shihni ndeshjen me Skënderbeun?

Me të gjitha skuadrat jemi përballur katër herë. Me disa skuadra kemi bilanc pozitiv dhe me disa të tjera mund të kemi bilanc negativ. Unë mendoj që në këtë fazë kushdo skuadër që është mund të ketë pretendimet e veta, gjë e cila e vështirëson shkallën e përqendrimit dhe vlerësimit sepse një ndeshje është. Ne këtë pikë ne do ta vlerësojmë Skënderbeun si skuadër që është renditur e katërta, që ka objektivat e veta dhe është një skuadër që ne kërkojmë ta mundim për të shkuar në finale.

Ju favorizon formati që edhe me barazim kaloni në finale?

 Unë mendoj se duket sikur është një ndeshje Kupe. Ke marrë një rezultat të mirë në fushën e kundërshtarit dhe kur kthehesh në ndeshjen e dytë në shtëpi ke dy rezultate. Nuk është se na favorizon shumë por duhet ta kemi si pikë orientimi për të mos ulur dozën e përqëndrimit , vlerësimit dhe motivimit. Në futboll gjithçka ndodh dhe nuk duhet ta mendojmë që edhe me barazim kalojmë në finale. Objektivi ynë i vetëm është që të jemi në finalen e 26 Majit.

Mendoni se pas 36 javësh do ishte kjo renditje për Partizanin ?

Formulën e dinim që në fillim. Unë mendoj që Partizani ka zhvilluar sezonin e dytë mbi mesataren dhe shumë të mirë. Pse e them këtë, sepse nëse sezonin e kaluar e mbylli me 67 pikë këtë vit e mbyll me 63 pikë, panvarësisht formulës. Kjo tregon vazhdimësi , një qëndrueshmëri të skuadrës , një mentalitet të mirë. Të paktën nga eksperienca që kam unë në Shqipëri shumë pak skuadra mund ta bëjnë këtë. Vazhdimësia është shumë e rëndësishme përsa i përket mentalitetit dhe atë që ne duam që skuadra jonë të jetë gjithmonë në majat e renditjes.

Ecuria pozitive përpara ndeshjeve të Final 4…

Eshtë e vërtetë që kemi një periudhë të mirë. Pas ndeshjes në Rrogozhinë kemi 5 fitore radhazi të cilat sigurisht ndikojnë për anën psikologjike të skuadrës. Mendoj se është diçka e mirë sepse gjithmonë skuadra të jetë aty ku duhet. Ato 5 fitore ndikojnë për mirë, por duhet të rrisim përqëndrimin sepse kur besimi është i madh, ndonjëherë bie pak përqëndrimi. Ne futboll nuk ka gjera të lehta , ka gjera të vështira dhe gjërat e vështira ti bësh të lehta duhet të kesh përqendrimin dhe vlerësimin e duhur.

Prisni një ndeshje spektakli nesër në “Air Albania” atë që  presin edhe tifozët?

 Unë mendoj që tifozët e të dyja skuadrave presin vetëm fitore, ose kalimin e turit, nuk presin spektakël, sepse në fund fare fitorja ka rëndësi. Sigurisht kur ti kërkon të performosh mirë atëherë ke edhe premisa për të arritur atë që kërkon kualifikimin. Ndeshja nesër do të jetë e luftuar , e vlerësuar nga dy skuadrat. E dimë që është një ndeshje ku të dyja skuadrat do të japin 100% e vet.

Ju favorizon fakti që keni luajtur më shumë ndeshje se Skënderbeu në “Air Albania”dhe më shumë mbështetje nga tifozëria ?

Sigurisht që tifozëria është arma e jonë plus. Do ti kemi të shumtë nesër sepse e kanë treguar që na kanë ndjekur dhe kanë qenë gjithmonë përkrah nesh. Përsa i përket fushës unë nuk mendoj se jemi ne të avantazhuar. “Air Albania” është një stadium që i motivon dhe i karikon vet të gjitha skuadrat. Nuk e shoh që një skuadër është e favorizuar kur luan këtu. Në një stadium komod si “Air Albania” të gjithë kërkojnë të japim maksimumin dhe të shprehin më të mirën e tyre edhe për vet ambientin që krijohet.

Atmosfera që pritet të krijojnë tifozët e Partizanit…

Ata janë lojtari ynë i 12-të. E kam thënë edhe herë të tjera, gjej rastin ti falenderoj sepse edhe kur s’kemi qenë aty ku duhet ata kanë qenë gjithmonë në nivelin e tyre, gjithmonë prezent. Kam besim që nesër do të jenë si përherë në mbështetje të skuadrës. Nuk e di se çfarë efekti do të ketë atmosfera e tyre te Skënderbeun, por te ne është e sigurtë që ka efekt shumë të  madh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!