Sindikata kërkon shpjegime për futbollistët aktivë…

Sindikata e Futbollistëve të Shqipërisë, në një postim në “Instagram” del në krah të futbolistëve që nuk paguhen në kulbet respektive. Te Kukësi, Vllaznia dhe te Erzeni, pati tentativa për bojkot mbi bazë të mungesës së pagave por në Superiore dhe Kategori të Parë, ka edhe skuadra të ttjera që i mbajnë mbyllur problemet financiare. Gjithsesi, SFPSH, ndalet te problemi sipërfaqësor duke shkruar në zyrtaren e saj në ‘Instagram’:

POSTIMI I SFPSH:

Këto ditë në Sindikatën e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë janë paraqitur disa futbollistë të cilët janë gjobitur nga klubet e tyre. Shkak për këto gjoba janë bërë grevat e futbollistëve, duke bojkotuar stërvitje ose ndeshje, për shkak të rrogave të pa marra.

Në nenin 14/1 të Statusit të Sportistit 2019 është e përcaktuar në mënyrë të qartë se: Mosdhënia e pagesës është shkak i ligjshëm për ndërprerjen e kontratës. Futbollistët megjithëse nuk janë paguar për shumë muaj, duke patur një shkak të ligjshëm për ndërprerjen e kontratës, përsëri kanë vazhduar të kontribuojnë për ekipet e tyre .

Por edhe durimi për futbollistët e ka një kufi, pasi pjesa më e madhe janë familjarë dhe me rrogat ata mbajnë familjet. Për këtë arsye futbollistët e disa ekipeve kanë bërë grevë, duke bojkotuar ndeshjet ose stërvitjet.

Ky ka qenë shkaku që ndaj këtyre futbollistëve janë marrë masa penalizuese nga klubet. Të nderuar presidentë, ju që kontribuoni financiarisht që futbolli të mbijetojë, mos bini pre e inatit ose e konsulencës së keqe dhe dëmtoni investimin tuaj .

Të nderuar presidentë. Duhet ta dini se greva është një e drejtë kushtetuese e parashikuar shprehimisht në nenin 51 të Kushtetutës tonë. Çdo penalizim që ju i bëni futbollistëve për shkak të grevës së tyre, është antikushtetues, dhe si i tillë të jeni të sigurt se do të hidhen poshtë nga instancat kompetente gjyqësore.

Çdo vendim që vjen në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe ligjit do të denoncohet nga ana jonë, jo vetëm në media apo organet e Vettingut por edhe në organizmat ndërkombëtare. Futbollistët Shqiptarë nuk janë skllevër që të vazhdojnë të punojnë pa u paguar sepse punëdhënësit e tyre, nuk DUAN ti japin pagat.

A kanë moral këta presidentë që ti kërkojnë futbollistëve arritjen e objektivave kur ata nuk i paguajnë ata prej disa muajsh në përputhje me kontratat që ata vetë kanë nënshkruar? Sindikata i bën thirrje edhe FSHF që ta ndjekë me vëmendje këtë çështje duke sqaruar gjithashtu edhe klubet për faktin se:

Rrogat e dhëna nga ana e saj as nuk e pezullojnë dhe as nuk ndërpresin marrëdhënien e detyrimit kontraktual që kanë  klubet me futbollistët. Sipas orientimeve te FIFA-s dhe UEFA-s, klubet duhet të negociojnë me futbollistët për pagesat e muajve që futbolli ndaloi dhe jo të vendosin në mënyrë arbitrare mosdhënien e pagesave me pretendimin se kanë marrë rrogë nga FSHF.

Gjithashtu një problem tjetër të cilin FSHF duhet ta sqarojë me qëllim që futbollistët të jenë të qartë për afatin e përfundimit të kontratës por dhe që klube të ndryshme të mos ngrenë pretendime që prishin garën: Është çështja e përfundimit të kontratave të futbollistëve.

Kontratat përfundojnë në kohën e përcaktuar në to apo në përfundim të edicionit. Ky shqetësim ngrihet nga ana jonë pasi disa presidentë publikisht kanë deklaruar se futbollistëve ju kanë mbaruar kontratat më datë 31.05.2020. Sindikata kërkon nga sektori i garave të FSHF që të marrë nga çdo klub, marrëveshjet që klubi ka bërë me çdo futbollist për zgjatjen e kontratës deri në përfundim të edicionit, sipas orientimeve të UEFA të bërë publike edhe nga FSHF.

Sigurisht që për ne, është në radhë të parë interesi i Sindikatës, por që ky problem përbën edhe një interes të ligjshëm për FSHF për të ruajtur integritetin e garës. Duke mos e sqaruar këtë situatë, nesër çdo klub që pas datës 31.05.2020 ka humbur një ndeshje në fushë mund t’i kërkojë FSHF fitoren e ndeshjes në tavolinë me pretendimin se skuadra kundërshtare ka luajtur me lojtarë të cilëve sipas deklarimeve të vetë klubit ju ka mbaruar kontrata.

Sigurisht që rezultat e vendosura në tavolinë dhe jo në fushë nuk janë në të mire të futbollit dhe as të futbollistëve. Në këtë pikë edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë do të japë kontributin e saj që edhe futbolli Shqiptar të jetë i ndershëm dhe i pastër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!