“Fanela e Milanit më e rëndë se ajo e Interit”
Dje, trajneri i njohur italian Alberto Xakeroni, kishte ditëlindjen. Mbushi 67 vjeç. Me këtë rast stacioni televiziv i kuqezinjve të Milanos e ka intervistuar atë, i cili pa e fshehur nostalgjinë për kohën e kaluar në pankinën e “djajve”, ka folur për të shkuarën dhe të tashmen e AC Milanit.
“Futbolli do të kthehet në fushë dhe do të luhet. AC Milan duket se dëshiron të përqëndrohet te lojtarët e rinj, por unë mendoj se të rinjtë bëjnë mire kur luajnë me lojtarë me përvojë, ndryshe është e vështirë të marrësh rezultate. Klubi duhet t’ua shpjegojë gjithçka tifozëve, të cilët më duken shumë të durueshëm, – ka thënë Xakeroni.
Fanela e Milanit peshon shumë më tepër se ajo e Interit. Madje edhe lojtarët me personalitetit i pashë të hynin në fushë me vështirësi, kështu që imagjinoni të rinjtë. Në fund të fundit, janë ata që pastrojnë “ajrin”, madje edhe në dhomën e zhveshjes. Por sasia dhe cilësia është e nevojshme të bashkohen për të ndërtuar skuadrën,”- deklaroi tekniku italian Xakeroni, i cili në karrierën e tij sportive ndërmjet të tjerash ka drejtuar edhe skuadrën e Milanit, por edhe atë të Interit.