Shqipëri fantastike, 4 gola Islandës…
Eliminatore grupi H. Shqipëri-Islandë 4-2. (Dermaku 32′, Hysaj 52′,Roshi 79′, Cikalleshi83′ / G.Sigurdson 47′, Sigthorson 58′)
Historike: Shqipëria shënon 4 gola në një ndeshje të këtij niveli. Shkëlqejnë Gjasula, Hysaj, Dermaku, Roshi, Memushaj e Cikalleshi. Reja kthehet në një natë ‘RE’
Shqipëria zgjidh ‘lëmshin’, Edi Reja, gjen ‘kontratën’. Ishte thënë që herët, Shqipëria kundërshtarin e vërtetë të saj, në këtë fazë të grupit kishte Islandën.
Shumë pikëpyetje pas performancës negative tri ditë më parë në Francë (4-1), dilema për aftësitë e grupit, idetë e teknikut Edi Reja, ndërsa sot në ‘Elbasan Arena” ndaj Islandës, të gjitha opsionet negative rrëzohen si një mal prej letre.
Skuadër e ndryshuar, e mirë vendosur në fushë, gola spektakolarë dhe në fund tri pikë super të vyera për një ngjitje në momentin e duhur në klafisikimin e grupit H.
Kapiteni Hysaj si kurrë më parë, Dermaku gol prej protagonisti dhe Gjasula zbulimi i vërtetë i madh i Edi Rejës. Për këtë të fundit, edhe pse ai mund të mos ketë arritur ta njohë plotësisht kontigjentin, me atë që arriti falë zgjedhjeve dhe moduleve të lojës, meriton notë maksimale.
Kjo është Shqipëria. Roshi autokritikë prej “labi’, ndërsa Cikalleshi fiton plotësisht bastin. Jo vetëm të Rejas,që i besoi për 90 minuta, por dhe të babait të tij i cili për ‘Sportiim. al’, deklaroi para takimit që ‘nëse numri 16 nuk shënon, do ta nxjerr unë nga fusha'(?!).
Kjo pra ishte Shqipëria e atyre mijrave tifozëve që erdhën e besuan se skuadra është në ‘këmbë” dhe di t’i gëzojë.
Kjo është Shqipëria e cila rikthen ditët e saj më të mira futbollistike. Me një takim spektakolar por dhe disa gabime në prapavijë (sot nuk flitet për ato), mundi Islandën e bëmave të mëdha kontinentale gjatë dekadës së fundit. Shqipëria.