Edi Martini: “Në Shkodër, nuk ka diell”
Një ndër zërat më kritik të Vllaznisë së Shkodrës, Edi Martini, teksa çdo hap i gabuar në klub i djeg në shpirt, e ka në dyshim të ardhmen e afërme të futbollit të qytetit të tij.
Në një bisedë për “sportiim.al”, ish-sulmuesi i famshëm, që në karrierë mbërriti deri te Eintraht Frankfurt, shprehet se gjëndja aktuale te Vllaznia mbetet kaotike.
Sipas trajnerit të disa skuadrave në Superligë, në Shkodër, ecet me mendësi të vjetra dhe se talentet e ‘djepit’ të futbollit, rrëmbehen me parametra zero nga skuadra të ndryshme.
Martini thotë se vështirësitë ekonomike janë gjithnjë prezente dhe se në klubin Vllaznia,edhe sot ka lojtarë që nuk janë paguar në tri muajt e fundit të sezonit të shkuar.
“Situatën e shoh shumë të errët. Talentet ikin, na i merr Bylis, Besa apo ndonjë tjetër, sepse ne nuk i vlerësojmë. E konsideroj skandaloze, edhe faktin që disa futbollistë, ende nuk janë paguar”.
“Tash tri muaj. Për të mos folur pastaj për lëvizjet në Bashki. Uroj të përmirësohet me shpejtësi situata e të mos kthehemi atje ku ishim edicionin e kaluar,”– tha Edi Martini sot.