Zyrtare: Klevis Dalipi, trajneri i ri i Luftëtarit

Pas largimit të presidentit Grigor Tavo, sot skuadra e Luftëtarit ka nisur nga përgatitjet për sezonin e ri. Ashtu siç ishte përfolur, gjirokastritët kanë prezantuar trajnerin e ri dhe drejtorin teknik të “bluzinjve”.

Kështu, ish-trajneri i të kuqve të Partizanit, elbasanlliu Klevis Dalipi, do të jetë trajneri i ri që do të drejtojë Luftëtarin këtë sezon. Në krah të tij në detyrën e drejtorit teknik do të Artur Dade.

“Pranova me kënaqësi ftesën e drejtuesve. Jam këtu për të formuar skuadrën dhe ‘basti’ im është që deri në fund të sezonit klubi të shesë një ose dy lojtarë. Do të bazohemi te elementët e rinj dhe kryesisht te futbollistët shqiptarë.

Gjatë këtyre ditëve do të ketë edhe shumë lojtarë në provë. Objektivi minimal është qëndrimi në Superiore, por do të shohim hap pas hapi. E rëndësishme është të formojmë një grup dinjitoz, që të përballoj më së miri garën.

Do të punojmë me ata lojtarë që kanë dëshirë për të punuar, sesa ata që kanë cilësi, por nuk angazhohen sa duhet”, tha trajneri i ri i gjirikastritëve, Klevis Dalipi.

Ndërsa drejtori teknik Artur Dade, më fjalën e tij tha se skuadra është pak me vonesë në organizim, por se ai do të kontaktojë me FSHF-në për licencsimin e Luftëtarit dhe për të rikthyer gjithçka në rrugën e duhur.

“I kemi bërë kërkesë zyrtare FSHF-së për licencimin, duke marrë përsipër shlyerjen e borxheve. Do të bashkëpunojmë me kryetarin e ri të bashkisë, Tavon dhe aksionerët e tjerë.

Jemi disi me vonesë, por gradualisht do të shikoni Luftëtarin e vërtetë, që besoj do të jetë ai që duam të gjithë ndoshta pas muajit janar. Shpresojmë që kampionati të shtyhet dhe të bëjmë një fazë përgatitore model”, tha drejtori teknik Dade.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!