Shqipëria, “tersi” i moldavit Spiridon…
Shqipëria mund të jetë vendi më ters për trajnerin moldav Aleksandër Spiridon. Kur ende ishte në fushën e blertë si futbollist, për here të parë fanelën e kombëtares moldave e ka veshur në Shqipëri, duke debutuar në Tiranë, më 29 mars 1995. Moldavia e humbi atë ndeshje 3-0.
Por duket ishte e shkuar, që tersi për Spiridonin, do të ishte përsëri i lidhur me emrin e Shqipërisë. Mësohet se tekniku, që ka punuar mjaft si ndihmës i rumunit Luçesku teksa kanë drejtuar ukrainasit e Shahtjor Donjeskut, është shkarkuar nga detyra. Shkak është bërë humbja 2-0 e Moldavisë në “Elbasan Arena”, në qershor për eliminatoret e Euro 2020-tën.
“U takuam me Spiridon pas ndeshjes me Shqipërinë dhe diskutuam situatën e ekipit. Pastaj zhvilluam mbledhjen e komitetit të trajnerëve të federatës, që nxori një konkluzion negativ të punës së kombëtares. Ne ishim të gjithë dakord që trajneri u mundua që të krijonte një ekip, të arrinte rezultate, por dështoi. Ndaj ne ndërpremë marrëdhëniet me të dhe i urojmë sukses”, ka delaruar presidenti i Federatës Moldave, Leonid Oleinçenko për mediat moldave.
Zyrtarizimi i këtij lajmi është bërë tani, pas një mbledhjeje në Federatën Moldave të Futbollit, e cila vendin vakant, e ka zëvendësuar përkohësisht me Semen Altman. Aleksandër Spiridon ishte në detyrën e kryetrajnerit të kombëtares së Moldavisë që nga janari i vitit 2018.