Ademi: “Do ta vërtëtoj pafajësinë time”

Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës, është dënuar dje me 9 muaj burg nga gjykata themelore e Prishtinës, pas akuzave për tentative korruptive.

Pas këtij vendimi, presidenti i FFK-së ka folur para Komitetit Ekzekutiv të Federatës, duke thënë se nuk ndjehet fajtor. Ademi do të vazhdoj t’i ndjekë procedurat ligjore, jo për të ruajtur postin, por për të vërtetuar pafajësinë.

“Me rastin e komunikimit të vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku presidenti i FFK-së, Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burgim, proces ky i nisur qysh në vitin 2012, sot pasdite, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, nën drejtimin e presidentit Ademi ka mbajtur një takim. Me këtë rast, presidenti Ademi para anëtarëve të KE-së ka thënë se komunikimin e vendimit të sotëm e konsideron të padrejtë dhe të pabazuar, sepse nuk e ndjen veten fajtor.

Presidenti Ademi do të vazhdojë t’i ndjekë deri në fund të gjitha procedurat ligjore – ankimore, të cilat janë të parapara me ligjet e vendit, jo për ta mbrojtur postin por për ta dëshmuar pafajësinë e tij dhe për ta mbrojtur kredibilitetin e institucionit. Gjithsesi, presidenti Ademi do t’i respektojë të gjitha vendimet e institucioneve çfarëdo qofshin ato në përfundim.

Presidenti Ademi falënderon të gjithë akterët e futbollit për përkrahjen dhe premton se do të vazhdojë njësojë me punë dhe përkushtim në drejtimin e FFK-së dhe sukseseve të reja, ashtu siç ia garanton Kushtetuta e vendit dhe aktet normative të FFK-së.

Njëkohësisht KE i FFK-së i jep mbështetje të fuqishme presidentit Agim Ademi që të vazhdojmë së bashku me trendin e sukseseve nën drejtimin e tij dhe fton opinionin e gjerë dhe të gjithë dashamirët e futbollit që këtë lajm ta marrin me qetësi dhe maturi.

KE i FFK-së konsideron se kjo është një tjetër sfidë e radhës, e cila besojmë fuqishëm se do të tejkalohet dhe do të na bëjë edhe më të fortë në realizimin e vizionit dhe objektivave të FFK-së”, shkruhet në qëndrimin e Federatës së Futbollit të Kosovës shpërndarë dje në mbrëmje për mediat. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!