Argjentina ngushëllohet me bronzin…

“Copa America”, për vendet 3-4: Argjentinë-Kili 2-1 (Aguerro 12’, Dibal 22’/Vidal 59’(p)

Pas kësaj fitoreje, Argjentina renditet e treta dhe meriton medaljet e bronzit. Gjyqtari De Vivar bëhet protagonist, nxjerr me kartona të kuq, dy kapitenët, Geri Medel (Kili) dhe Lionel Mesi (Argjentinë)

Argjentina përfundoi e treta në “Copa América” 2019. Në “finalen e të zhgënjyerve”, ata u përballën me kampionët e Kilit, në “Corinthians Arena” të San Pablos, në një ndeshje plot tension, nervozizëm dhe e rrethuar nga polemika për gjyqtarin ekuadorian Mario Díaz de Vivar, i cili e përjashtoi Lionel Mesin me karton të kuq në mënyrë të pazakontë.

Ishte minuta e 37-të e takimit! Për Medelin “grindavec” kartoni nuk bën përshtypje, ndërsa për Mesin, një ngjarje e tillë përsëritet pas 14 vitesh. Ka qenë një ndeshje ndaj Hungarisë, në gusht të 2005, kur Mesi është ndëshkuar me kartonin e pare të kuq. Ky ndaj Kilit, ishte i dyti në karrierën e tij si profesionist.

Ndërkohë, fatet e kësaj “finaleje” thuajse ishin përcaktuar. “Albiçelestët” zotëronin fushën e lojës, por edhe rezultatin. Golat e shpejtë i prishën ballancat dhe planet e kilenëve, që u befasuan dhe orientoheshin me vështirësi.

Sergio Aguero dhe Paulo Dibala ishin autorët e golave për Argjentinën që në fraksionin e pare të lojës. Kilenët ngushtuan diferencën në 2-1 me anë të Arturo Vidal, që shënoi nga pika e penalltisë, të fituar me ndihmën e VAR.

Nesër, në orën 22:00, në stadiumin mitik “Marakana” të Rio De Zhaneiros, do të zhvillohet finalja Brazil-Peru, e cila mbyll edhe skenën e futbollit latino-amerikan për edicionin e 46-të të “Copa America”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!