Arritja deri në finale të Play Off-it të Kupës së Botës, Presidentja e Kosovës dekoron skuadrën Dardane
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, sot para dekorimit nga Presidentja Osmani, ka deklaruar se Kosovës i duhet urgjent një stadium me kapacitet me standarde të FIFA-s.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dekoruar sot futbollistët e Kosovës. Përfaqësuesja dardane u mund nga Turqia minimalisht 0-1 por kjo nuk e zbeh aspak arritjen hitorike të kësaj skuadre të re. Ndërkohë pasi ka postuar pas ndeshjes një status mirënjohje, kreu i shtetit Vjosa Osmani priti dhe akordoi dekoratat për këtë ekip që sipas saj ka bërë krenar gjithë shqiptarët anembanë botës.
Sakaq kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, ka falënderuar edhe njëherë të gjithë mbështetësit e skuadrës së Kosovës në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës e cila ishte vetëm një hap larg.
Gjatë dekorimit nga presidentja Osmani me ‘Medaljen Presidenciale të Meritave’, kapiteni i Dardanëve Vedat Muriqi tha ndër të tjera se nuk e kishte menduar humbjen.
“Ne e kemi ditur edhe para ndeshjes se është dëshirë e madhe për të gjithë popullin, për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës për kualifikim por nuk ndodhi. Me iu tregu të drejtën, personalisht nuk e kam menduar se do të eliminoheshim, unë as biletën kthyese nuk e kam. Ka qenë një goditje e rëndë për ne edhe pse besoj se nuk e kemi merituar humbjen, kemi bërë çmos për të fituar, por ky është një realit”./Sportiim.al/
