Shkodrani Nikaj: Po largohem nga Vushtrria!

Trajneri shkodran Samuel Nikaj sezonin që sapo ka përfunduar, drejtoi skuadrën kosovare të Vushtrrisë, të cilën arriti ta shpallte edhe kampione në Ligën e Parë dhe për pasojë, në vijim ajo do të luajë në Ipko Superligën e Kosovës.

Por pas këtij suksesi të pakontestueshëm, ku roli i trajnerit Nikaj nuk mund të shpërfillet, gjërat nisën të shkojnë jo mirë. Pas largimit të disa lojtarëve, vulën e vuri largimi i beftë i presidentit Naser Imeri nga klubi i Vushtrrisë.

Të gjitha këto, mesa duket e kanë detyruar edhe trajnerin shkodran Samuel Nikaj të marrë vendimin për t’u larguar nga skuadra, Vushtrrisë, të cilën e udhëhoqi dhe ngjiti në Ipko Superligën e Kosovës, pas një mungese prej 3 sezonesh.

“Në respekt për bashkëpunëtorët e mi, lojtarët dhe tifogrupin ‘Forca’, do e shoh edhe njëherë mundësinë e qëndrimit, edhe pse duket e vështirë duke patur parasysh gjendjen aktuale të klubit. Jam afër nënshkrimit me një emër të madh të futbollit të Kosovës, 90% është punë e kryer”, ka thënë fillimisht Nikaj për gazetën “Metro”.

“Largimi i presidentit ishte i papritur, ndoshta është ndikuar edhe nga ligji për sportin. Largimi i tij ndikoi negativisht në opinonin e qytetit. Tash është krijuar një pasiguri të lojtarët dhe tifozët. Kulmi ishte arritur me largimin e kapitenit dhe idhullit të tifozerisë, Labinot Osmanit. Megjithatë, jeta vazhdon, qyteti i Vushtrrisë ka potencial të majftueshëm për të vazhduar tutje. Nuk e besoj se do e këtë fatin e KEK’ut”, ka deklaruar trajneri shkodran.

Samuel Nikaj është një emër i njohur në trajningun shqiptar, ku kulm ka patur drejtimin e Tërbunit në Superiore. Para dy sezonesh, trajneri shkodran drejtoi ekipin e Flamurtarit të Prishtinës, të cilën pasi e ngjiti në Ipko Superligën e Kosovës, u largua.

E ardhmja? Nikaj nuk ka përmendur emra, por është shprehur se ka disa oferta edhe në Kosovë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!